"Mark Babani, është një hajdut i certifikuar dhe një gjë e tillë vërtetohet edhe nga bllokimi qe i ka bërë për një muaj e gjysmë nga Ministria e Drejtësisë procesit për të dërguar letër porosinë në organet e drejtësisë italiane për të vërtetuar akuzat e PD nga Prokuroria e Përgjithshme." Kjo ka qenë deklarata e Sekretarit të Përgjithshëm të PD Gazmend Bardhi, dhënë për mediat pas një takimi me strukturat e kësaj force politike ne Vau Dejës.
"PD ka bërë publike dokumentet e plota, që Mark Babani i emëruari i Edi Ramës në Bashkinë e Vaut të Dejës është hajdut i certifikuar me vendim gjyqësor nga autoritetet italiane. Gjej rastin t'i bëjë thirrje Prokurorisë së Përgjithshme. Të zbatojë ligjin dhe të nxjerrë rezultatet në informacionet që disponon. Në dijeninë time ata po presin letërporosinë që ka dërguar në Itali. Kjo letër porosi dhe vonesa po bëhet nga bllokimi nga Ministria e Drejtësisë. Prej një muaj e gjysmë letërporosia e Prokurorisë së Përgjithshme nuk është përcjellë duke sjellë zvarritje. Duke lejuar që kështu që ai të ushtrojë funksione publike. Sot menaxhon parat e Vaut të Dejës." tha Gazmend Bardhi.
Bardhi u shpreh se 'Mark Babani është Edi Rama i Vau të Dejës', ndërkohe që ai është shprehur se PD do të vijojë të tjera denoncime për kryebashkiak të cilët kanë mashtruar me formularët e dekriminalizimi.
"Mark Babani është Edi Rama i Vaut të Dejës. Ne kemi denoncuar jo më larg se dje kandidatin e Mallakastrës. Kemi në proces verifikimi edhe të tjerë. Sapo të kemi info të dokumentuara do ta ndajmë me publikun."
Kujtojmë se Kryebashkiaku i Vaut të Dejës, Mark Babani ka dorëzuar shenjat e gishtërinjve, pas akuzave të bëra nga PD-ja se ka qenë i arrestuar në Itali për vjedhje makinash në 4 prill të vitit 1994.