Bardhi: Po verifikohen 3 kryebashkiakë në qarkun Lezhë e Dibër, kanë të shkuar kriminale

11 Janar 2020, 19:21

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi ka deklaruar se në ditët në vijim selia blu do të nxjerrë fakte se edhe tre kryebashkiakë të tjerë kanë të shkuar kriminale. Në takimet që ka zhvilluar ditën e sotme, Bardhi tha se dy kryebashkiakë të dalë nga zgjedhjet e 30 qershorit kanë të shkuar kriminale në qarkun e Dibrës, e ndërsa dyshimet janë edhe për një tjetër në qarkun e Lezhës.

“Unë besoj që për qarkun e Dibrës është e qartë se shumica e kryetarëve të bashkive kanë të shkuar kriminale, madje kanë bërë dhe veprime kriminale. Kemi në proces verifikimi se dy prej kryebashkiakëve në qarkun e Dibrës kanë të shkuar kriminale. Po verifikohet një nga kryebashkiakut e qarkut të Lezhës. Kur të vërtetohet se ka probleme me ligjin e dekriminalizimit do të bëhen faktet publike. Ne kemi informacione që një nga kryebashkiakët preket nga dekriminalizimi", tha Bardhi.

Ai u ndal të komentonte zhvillimet e fundit nga kronika e zezë, sipas së cilit ngjarjet kriminalet do të marrin fund kur të mos kenë mbrojtje nga politika, siç po ndodh aktualisht.

‘Trafiku i drogës dhe veprimtaritë e tjera kriminale të kësaj natyre po sjellin ngjarje të rënda kriminale që tronditin mbarë opinionin publik. Kjo situatë vijon, ne gjithmonë kemi kërkuar shkëputjen e politikës nga krimi dhe në programin tonë ka qenë primare dhe lufta kundër drogës”, tha Bardhi.

Këto deklarata Sekretari i Përgjithshëm i PD i bëri pas takimeve që ka zhvilluar me strukturat drejtuese në Lezhë dhe në Dibër.