Kuvendi ka miratuar, mes kaosit të shkaktuar nga opozita, me 74 votat e maxhorancës projektligjet e rendit të ditës. Edhe këtë të enjte, opozita pamundësoi zhvillimin normal të punimeve të Kuvendit. Për rreth një orë e 30 minuta, kryetari i PD, Lulzim Basha mbajti të bllokuar foltoren e Kuvendit.
Kjo situatë solli ndërprerjen e seancës nga Ruçi për tre herë me radhë, ndërsa po aq herë iu ndërpre fjala edhe Bashës.
Në kushtet kur Basha dhe deputetët e opozitës nuk lëshuan foltoren e Kuvendit, Ruçi hodhi në votim pr/ligjet e rendit të ditës, ndërsa paralelisht Lulzim Basha vijonte transmetimin në Facebook të fjalimit të tij. Në mbyllje të punimeve të Kuvendit, mesazhi i Ruçit për opozitën ishte: "Projektligjet i votuam. Vijoni shfaqjen në Facebook tani"!
Basha bllokoi foltoren për 1 orë e 30 minuta, Ruçi ndërpret tre herë seancën
"Pezullo seancën, të vijnë këtu Edi Rama dhe Fatmir Xhafaj". Kjo ka qenë kërkesa e Lulzim Bashës drejtuar kryeparlamentarit Gramoz Ruçi, pasi në punimet e seancës mungonin kryeministri Edi Rama dhe ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj. Kreu i PD e quajti papërgjegjshmëri mungesën e tyre, duke shtuar se duhet të vijnë dhe të japin llogari për akuzat e opozitës në ngarkim të tyre.
Pezullo seancën, të vijnë këtu Edi Rama dhe Fatmir Xhafaj. Nëse kanë vendosur të mos vijnë, le ta çojnë deri në fund. Në seancë mungojnë Rama dhe Xhafaj, kërkesa e kreut të grupit të PD-së (Edmond Spaho) është e qartë dhe e kuptueshme për ju, kjo seancë nuk duhet të vazhdojë pa praninë e këtyre të dyve këtu, llogaridhënia e të cilëve në këtë moment kyc është një detyrim moral dhe politik. Nëse kanë vendosur të mos vijnë më të largohen sot e të çlirojnë vendin nga aleanca e krimit me pushtetit që është pengesa numër 1 për integrimin e vendit.
Lulzim Basha, kryetar i PD