Basha: 26 nëntori gjunjëzoi vendin! Mos e humbisni shpresën, bashkë sjellim Shqipërinë e mundësive

31 Dhjetor 2019, 18:42

Edhe për liderin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha, 2019-a ishte një vit i vështirë që e përballi vendin me sfida të shumta, por edhe me goditjen nga tërmeti i nëntorit që mori jetë e shënoi dëme të mëdha.  Në urimin e tij vëmendje të veçantë zënë edhe ata banorë që Viti i ri i gjen të pastrehuar, apo në çadra, në pritje të procesit të rindërtimit të gjithçkaje që u rrënua nga tërmeti.

Teksa uron që 2020-a të sjellë gëzim e mirëqenie për familjet shqiptare, Basha thotë se me mbështetjen e njëri-tjetrit mund të ndryshohet realiteti. Basha veçon shqiptarët që ndodhen në emigrim dhe uron që ata të kthehen në atdhe, përmend veçantë edhe ekipet mjekësore, të policisë, zjarrfikësit,  median, dhe të gjithë ata që natën e ndërrimit të viteve e kalojnë në punë në shërbim të njerëzve.

"Një urim të veçantë kam për të rinjtë dhe të rejat, mos e humbisni shpresën dhe besimin tek vetja juaj dhe tek Shqipëria! Forca dhe energjia juaj është frymëzim për çdo shqiptar. Së bashku do ta bëjmë Shqipërine vendin e mundësive për të gjithë ju", uron Basha.