Basha: 85% e shqiptarëve e refuzuan, Ramën e braktisën edhe socialistët në 30 qershor

30 Qershor 2019, 21:08

Nga selia blu, kreu i PD-së, Lulzim Basha u shpreh se këto zgjedhje ishin një tregues se si shqiptarët e kanë braktisur kryeministrin Edi Rama. Ai gjithashtu ka akuzuar KQZ-në se po manipulon pjesëmarrjen, teksa e cilësoi atë si një vegël politike.

"Sot shqiptarë braktisën në masë maskaradën e votimit një partiak të Edi Ramës. 85 për qind e votuesve të regjistruar refuzuan votimet e paligjshme moniste. Edi Ramën sot e bojkotuan edhe socialistët, pasi për të sot votuan më pak se në vitin 2015 dhe 2017. Votimi i sotëm njëpartiak dhe nën kontroll të plotë njëpartiak ishte një ngjarje që nuk ndodhte askund në Europë, që nga koha e komunizmit. Organizata e Rilindjes sot kandidonte vetë, votonte vetë, numëronte vetë dhe çertifikonte vetë. Kjo është parodi tragjike e demokracisë, kushtetutës dhe shtetit të së drejtës. Akoma më tragjik është fakti që edhe pse votimet ishin në çdo element të tyrin, njësoj sikur të ishin votime të brendshme të Partisë Socialiste, ato u karakterizuan nga manipulime masive, përfshi rezultate të paracaktuara, blerje votash, kërcënim për të marrë pjesë, përdorim të burimeve publike dhe administratës shtetërore, votime të shumëfishta nga i njëjti person mbushje kutish dhe shkelje të tjera të rënda", tha Basha.

    No videos found.