Basha e quan 'shtojcë të Ramës'/ Kryemadhi: Partia e re e Topallit alternativë në zgjedhje, suksese

30 Tetor 2020, 17:52 | Përditesimi i fundit: 2020-10-30 18:58:32

POGRADEC- Ndryshe nga pjesa tjetër e opozitës e cila e ka sulmuar, kryetarja e LSI-së, Monika Kruemadhi, i ka uruar suksese Jozefina Topallit, megjithatë ajo shprehet se bindur se me Kodin e Ri Partitë e reja nuk kanë asnjë shans që të marrin mandat në parlament. Nga Pogradeci, Kryemadhi e sheh Topallin si një alternativë në këto zgjedhje, ndryshe nga sa pretendon aleati i saj kryesor Lulzim Basha që e cilëson si një "shtojcë të Ramës".

"I uroj suksese znj. Topalli. Një alternativë më shumë, një grua më shumë, kështu që i uroj suksese në të gjithë hapat e saj. Ne jemi tëhapur për të gjithë, nuk është çështje e partive politike, këtu është çështja të gjithë kundër sektit të rilindjes ,pastaj partitë politike mund të përfshihen si të duan", tha Kryemadhi.

Ajo ka theksuar se me Kodin e Ri Zgjedhor ato që janë dëmtuar më shumë janë partitë e reja dhe jo opozita.

"Më keni dëgjuar që them që kodi i ri zgjedhor i jep opozitës 100 mandate. Është e vërtetë. Në qarkun e Korçës, pra bashkia Pogradec, Devoll, Maliq, Korçë dhe Ersekë, ne si LSI kemi marrë 19 mijë e 600 vota. Me kodin që ka miratuar Edi Rama sot ne do të kishim 2 deputetë në Parlament. Me kodin e vjetër LSI-ja ka pasur vetëm një deputet në Parlament. Pse? Sepse kodi i vjetër i krijon mundësinë për të hyrë në Parlament partive të reja. I krijon mundësinë për të hyrë në Parlament kandidatëve të rinj, edhe nëse janë si individë. Ndërsa kodi i ri nuk i krijon asnjë lloj mundësie partive të reja, por përkundrazi i eliminon ato. Ndërsa LSI-së i jep prioritet për ta shumëfishuar rezultatin me vende në Parlament, ndërkohë që aftësitë dhe mundësitë për të rritur më shumë numrin janë jashtëzakonisht më të mëdha", tha Kryemadhi.