Nga ky moment, ish-pronarët e tjerë duket se largohen nga skena, dhe mbeten vetëm Fatmir Bekashi me Kontakt Shpk, Jamarbër Malltezi dhe një kompani e dytë, e quajtur Homeplan. Kompania Homeplan u themelua më 3 qershor 2008 nga Fatmir Betkashi dhe është bërë gati për fazën e dytë të projektit: ndërtimin e kompleksit rezidencial Magnet pikërisht mbi tokën e ish-Kompleksit Partizani. Jamarbër Malltezi u sugjeron ish-pronarëve dhe investitorit Fatmir Bektashit, të presin që bashkia e Tiranës ende e drejtuar nga Edi Rama të përfundojë në kontrollin e sigurt të familjes Berisha, sepse në atë moment pas tokës ai do të garantojë edhe leje ndërtimi. Dhe kështu ndodh. Më 25 qershor 2011, Lulzim Basha bëhet kryebashkiak me vetëm 10 vota më shumë sesa Edi Rama, në fund të një procesi të diskutueshëm numërimi që ka nxitur dyshimet e përhapura për manipulime. Jamarber Malltezi bëhet këshilltari i tij në Bashkinë e Tiranës dhe së bashku ata hartojnë masterplanin e kryeqytetit i cili përcakton gjithashtu se ku mund të ndërtohet. Sigurisht, ata nuk kanë asnjë dyshim se në vend të fushave dhe palestrave të Kompleksit Partizani mund të ndërtohet qendra e tyre rezidenciale, duke zëvendësuar ambientet sportive me kulla betoni. Më 18.09.2013 Lulzim Basha firmos lejen zhvillimore në favor të dy ndërmarrjeve, "Kontakt shpk" dhe "Homeplan" që dalin bashkë si investitorë, duke autorizuar ndërtimin e kompleksit Magnet I për një sipërfaqe totale prej 128,494 metra katror.