Basha: Fola mbrëmë me disa përfaqësues të lartë të BE-së, kufijtë për Shqipërinë s'do hapen në korrik

2 Korrik 2020, 11:55

TIRANE-Lulzim Basha u shpreh sot nga Divjaka se Bashkimi Europian nuk ka për t'i hapur kufijtë për Shqipërinë as për gjysmën e dytë të korrikut për shkak të numrave të lartë të infeksioneve dhe fataliteteve. Për këtë ai fajësoi qeverinë Rama.

"Të paktën deri me 15 korrik dhe gjasat janë sipas një bisede që pata edhe mbrëmë me disa prej përfaqësuesve të lartë të Bashkimit Europian gjatë një darke zyrtare, që edhe gjatë gjithë muajit korrik Shqipëria do të mbetet zonë e kuqe, e rrezikut, kjo për arsye se shumica e vendeve të tjera ku infeksionet po bien, në Shqipëri po rriten. Sot Shqipëria ka numra rekord infektimesh dhe shtrimesh dhe fatalitetesh.Ky është rezultat i propagandës mbi politikën shëndetësore, nuk janë marrë masa për mbrojtjen e personelit shëndetësor, i keni parë numri i të infektuarve dhe viktimave mes profesionistëve të bluzave të bardha është shtuar. Vatrat më të mëdha të infeksionit janë spitalet, dhe si rezultat i kësaj, i gjithë efekti fillestar i karantinës njerëzore dhe ekonomike është zhbërë. Hapi i parë që duhet ndërmarrë është stabilizimi i gjendjes së pandemisë, që deri tani ka vetëm fjalë dhe asnjë masë konkrete për ta ndaluar dhe kthyer të paktën numrin e infektimeve në parametra normalë. Natyrisht sa kohë kemi këtë situatë Bashkimi Europian nuk ka për ti hapur kufijtë" tha ai.