Basha i paqartë për 13 Tetorin, Kryemadhi nis fushatën: Nuk ka pushime, përgatitemi për zgjedhje

16 Korrik 2019, 22:30

Lideri demokrat Lulzim Basha është i paqartë për aksionin opozitar. Sot ai deklaroi pas takimit me Presidentin se vlerëson qëndrimin e tij se 13 Tetori është një mundësi për daljen nga kriza duke nënkuptuar heqjen dorë nga kërkesa për qeveri tranzitore dhe zgjedhja pa Ramën kryeministër, por në mbrëmje nga Berati theksoi se aksioni do të vijojë përpos shpalosjes së programit të PD-së edhe me protesta.

"Ne do të vazhdojmë me një ndërthurje të aksionit opozitar, me vazhdimin e qëndresës, denoncimit, protestave dhe shpalosjen e alternativës sonë, planit tonë për të ndryshuar vendin duke filluar me ndryshimin ekonomik që të jetë i prekshëm për të gjithë. Ndryshimi do të vijë kur të kemi një qeveri për njerëzit dhe jo për oligarkinë" tha ai.

E ndërsa Basha është i paqartë, për Kryemadhin nuk mund të thuhet e njëjta gjë. Nga Durrësi, ajo u shpreh se për LSI-në muaji korrik dhe gusht nuk do të jenë muaj pushimi por muaj që do të përgatisin këtë parti për zgjedhjet sipas dekretit të Presidentit.

' Falenderoj të gjithë anëtarët dhe simpatizantët e LSi që bojkotuan votimet moniste të 30 qershorit, pavarësisht presionit kriminal dhe trysnisë së pushtetit me bukën e gojës dhe vendin e punës. Strukturat e LSI janë të angazhuara plotësisht në të gjithë vendin. Muaji korrik dhe gusht nuk do të jenë muaj pushimi, por pune të plotë për zgjedhje. Në këtë betejë jemi, jo për një zgjidhje të momentit për klasën politike, por për ndryshimin e sistemit për të tashmen dhe të ardhmen e shqiptarëve. Votimet e Rilindjes së 30 qershorit u refuzuan në mënyrë plebishitare nga shqiptarët' ka thënë Kryemadhi.

'Çdo ditë në pushtet e Edit shoqërohet me një mega korrupsion. Në një javë dy skandale që e rrisin çmimin e naftës me 25 lekë për litër. Askush të mos mendojë që mund të gëzojë djersën, mundin dhe gjakun e shqiptarëve me kontrata korruptive. Bujqësia drejt kolapsit dhe pa këtë rritje të frikshme të naftës. Rritja e çmimit të naftës nga dy aferat korruptive të Ramës do prekin jo vetëm xhepat e shqiptarëve, por do kenë edhe pasoja negative në gjithë ekonominë. Për dy oligarkë, do dëmtohen dhjetra eskportues dhe mijëra prodhues në bujqësi. Jemi në këtë betejë për të zhbërë të keqen që ka çuar në 35% numrin e qytetarëve që jetojnë nën minimumin e varferisë. Investimet e huaja janë bërë si përrallë nga e kaluara.

Raporti i DASH një epikrizë për së mundjen e ekonomisë së vendit. LSI ka një program shumë të qartë për nxjerrjen e vendit nga kriza ku e ka futur Rilindja. Kapja e ekonomisë në pesë duar po largon edhe biznesmenët shqiptarë nga vendi. Jemi në këtë betejë jo për poste e karrike, por për ta bërë Shqipërinë shtëpinë e çdo shqiptari.' ka shtuar më pas kryetarja e LSI.