TIRANË- Deklaratës së kryeministrit Edi Rama të bërë nga foltorja e Kuvendit se mund ta votojë Reformën Zgjedhore edhe me opozitën e re, kryedemokrati Lulzim Basha iu përgjigj në një dalje për mediat. Basha tha se nuk ka opozitë të re apo opozitë të vjetër, por vetëm një opozitë që përfaqëson shumicën e zgjedhësve në vend.
“Nuk ka opozitë të re. Ka vetëm një opozitë e cila përfaqëson sot shumicën e zgjedhësve. Pjesa tjetër është pjesë e një parlamenti monist Termi i opozitës së re është term i medias së kapur nga qeveria. Ka vetëm një opozitë që është PD dhe aleatët e saj”, u shpreh Basha.
Basha u kujtoi edhe njëherë Ramës planin me 5 pika për zgjidhjen e krizës politike në vend, dhe për krijimin e Reformës Zgjedhore. Ai akuzoi Ramën se ka dështuar në rrugën e Shqipërisë drejt BE dhe se për këtë faji dhe përgjegjësia është vetëm e tij.
"Reforma Zgjedhore është prioritet. Kjo nuk është asnjë beteje as për Edi Ramën dhe as për Lulzim Bashën. Ne kemi propozuar planin për nxjerrjen e vendit nga kriza", u shpreh Basha.