Basha: Javën e parë të qeverisë së PD do heq traun e Rrugës së Kombit

23 Korrik 2019, 15:00 | Përditesimi i fundit: 2019-07-23 19:05:43

Nga Kukësi, lideri demokrat Lulzim Basha tha para banorëve të zonës, se kur PD të vijë në pushtet, në javën e parë të qeverisë do të heq taksën e rrugës së Kombit. 

"Dua t’u shpreh të gjithë kuksianëve mirënjohjen time të jashtëzakonshme në emër të Partisë Demokratike, në emër të opozitës, për refuzimin masiv që i bënë regjimit të Edi Ramës më 30 qershor. Kukësi, natyrisht, i ka prirë betejës për liri, për demokraci dhe për mundësi të barabarta në ligj për çdo qytetar, me revoltën kundër taksës së rrugës.  Dua të rikonfirmoj vendosmërinë tonë për të hequr traun e Rrugës së Kombit në javën tonë të parë në pushtet. Sikundër u kam kërkuar të gjitha strukturave të Partisë Demokratike të bëhen gati që, së bashku me qytetarët e Kukësit, me gjithë qytetarët shqiptarë ta kthejmë shumicën “Rama ik” të 30 qershorit, në shumicën e një ndryshimi të thellë ekonomik dhe politik për çdo shqiptar, për t’i dhënë fund emigracionit dhe kurbetit që po e tret Kukësin, për t’i kthyer pasuritë e shqiptarëve; rrugët, bregdetin, minierat, pyjet, të gjitha pasuritë e këtij vendi të bekuar nga Zoti, në funksion të mirëqenies dhe punësimit të shqiptarëve. Punësimi i shqiptarëve, mirëqenia e shqiptarëve, punësimi i kuksianëve, mirëqenia e kukësianëve janë objektivi dhe prioriteti më madhor i Partisë Demokratike dhe i imi personalisht", - tha Basha.

Më herët, kryedemokrati Lulzim Basha u ndal në Tropojë nga ku vijoi akuza ndaj kryeministrit Edi Rama dhe qeverisë së tij. Basha tha se Rama i ka dhënë pasuritë e vendit klientëve të vet duke shkaktuar më shumë varfëri për popullin.

    No videos found.