Basha: Jepjani përgjigjen ta dëgjojë deri në Surrel: Rama ik! Zgjedhje pa opozitën, nuk ka!

25 Maj 2019, 22:13

Me nisjen e fjalimit të kryetarit të Partisë Demokratike Lulzim Basha para kryeministrisë, demonstruesit e mbledhur kanë nisur të shpërthejnë kapsollë, ndërsa fjalët e kryedemokratit janë dëgjuar me vështirësi për shkak se protestuesit ishin pajisur me vuvuzela. Ish-deputetët e PD-së, mes të cilëve edhe Klevis Balliu, janë parë teksa vendosen para kordonit të sigurisë së forcave të policisë, për të shmangur përplasje të mundshme mes tubuesve dhe forcave të policisë. Militantët kanë hedhur edhe disa tymuese dhe shashka në drejtim të derës kryesore të godinës së kryeministrisë.

"Nuk ka në Evropë kryeministër që të kapet duke vjedhur zgjedhjet e të mos shporret një orë e më parë. Nuk ka në Evropë politikanë që e ka mbushur parlamentin me trafikantë drogë e të vajzave shqiptare, që të mos shporret e të shkojë para drejtësisë. Vlerat e Evropës do të kishin diktuar me dhjetëra herë largimin e Edi Ramës në këto gjashtë vite e gjysmë krim e korrupsion, babëzi dhe dhunë ndja qytetarëve shqiptarë. Sot e derisa të bëhet realitet, e shumë shpejt do të bëhet, ka një mesazh nga populli: Rama ik!", u shpreh kryedemokrati.