Basha: Ka dalë vetëm një pjesë e vogël e përgjimeve

23 Qershor 2019, 13:39

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha deklaroi se përgjimet që kanë dalë nga gazeta gjermane 'Bild' për dosjen 339 të grupit të Shijakut ku është kapur duke folur edhe kryetari i bashkisë së Durrësit, Dako dhe dosjen e Dibrës, të njohur si 184 janë një pjesë e vogël, pasi ka edhe shumë të tjera.

'Ka dalë vetëm një pjesë e vogël e përgjimeve' tha ndër të tjera ai duke paralajmëruar të tjera, edhe pse opozita ka deklaruar se nuk ka dijeni nga kanë dalë.

Intervista e plote
Zoti Basha, Shqipëria ndodhet në një ngërç politik. Cili është vizioni dhe kompromisi juaj për daljen nga kjo krizë?

Kriza politike ka 3 dimensione. Ka kapjen e të gjitha pushteteve në një dorë, pra, autokracinë. Të gjitha pushtetet janë në dorën e një njeriu, qeveria, parlamenti, drejtësia, mediat janë të kapura nga i njëjti pushtet. Ekonomia është monopolizuar dhe është në duar të këtij pushteti. Publikimet më të fundit të gazetës prestigjioze gjermane Bild, tregojnë se jo vetëm kemi kapjen e shtetit nga krimi, por kemi shkrirjen në një të  partisë në pushtet, qeverisë dhe institucioneve shtetërore. Zgjidhja e kësaj krize politike nuk mund të kalojë thjesht nëpërmjet një marrëveshjeje të rëndomtë politike me një pazar mes palësh. Nuk mund të ketë zgjidhje të kësaj krize pa drejtësi dhe pa i dhënë fund pandëshkueshmërisë së politikanëve të lidhur me krimin dhe kriminelëve që, së bashku, kanë asgjesuar procesin politik, kanë vjedhur zgjedhjet, kanë devijuar vullnetin popullor dhe kanë prodhuar themelet e kësaj krize - një parlament ilegjitim, një qeveri ilegjiime, të dalë jo nga vota e qytetarëve, por nga diktati i krimit të organizuar, me paratë e drogës dhe të krimit dhe që, si rezultat, vazhdon të mbetet peng i interesave kriminale dhe private, në vend që t’i shërbejë interesave publike.