Basha Kur të vij në pushtet, qeveria do jetë e përgatitur për përballimin e fatkeqësive natyrore

10 Janar 2020, 14:33

Kreu i opozitës, Lulzim Basha nga Qendra Operacionale e Emergjencave Civile në rajonin Friuli-Venezia-Giulia në Itali foli për përballimin e fatkeqësive natyrore, duke u bazuar edhe në rastin e tërmetit të 26 nëntorit që preku Shqipërinë.

“Lajmi që dua të ndaj sot për ju të dashur miq është se me autoritetet e rajonit Friuli-Venezia-Giulia dhe me drejtuesit e kësaj Qendre Operative të Mbrojtjes Civile, kemi rënë dakord që kjo përvojë e jashtëzakonshme, në nivel botëror do të thoja, jo vetëm në nivel europian, do të shërbejë për t’u transferuar dhe për të trajnuar emergjencat civile shqiptare”, thotë Basha.

Ai zotohet se qeveria e ardhshme so të gjendet e përgatitur para fatkeqësive natyrore qofshin këto tërmete apo tragjedi të tjera apo përmbytje dhe do të kenë një instrument të përgjigjes së menjëhershme për t’iu ardhur menjëherë në ndihmë banorëve, për të organizuar pa asnjë vonesë operacionet e vërteta të kërkim shpëtimit me mjete.

Basha ndodhet në Qendrën Operacionale të Emergjencave Civile në rajonin Friuli-Venezia-Giulia në Itali ku është mirëpritur nga autoritetet italiane.

Prezantimi që është bërë dhe do të vazhdojë pas pak minutash edhe në qendrën e përbashkët operative të të gjithë institucioneve që marrin pjesë si dhe në vizitën që më është rezervuar në bazën e mjeteve të emergjencave civile, është me të vërtetë mbresëlënës, por akoma më i kënaqur jam nga fakti se, edhe nga pozita e Kryetarit të opozitës, Kryetarit të Partisë Demokratike, sot kam gjetur tek Ministri italian, jo vetëm një gatishmëri totale për të ndarë me mua dhe ekipin tim përvojat e tyre, por edhe një gatishmëri totale për të na qëndruar pranë në ndërtimin e një instrumenti të emergjencave civile që do t’u vijnë në ndihmë shqiptarëve”, është shprehur Basha.