Basha mbledh dhjetëra të rinj në Elbasan: Do arsimoheni si të rinjtë në Europë

28 Mars 2021, 14:22

Kreu i PD-së, Lulzim Basha, vijon të shkelë masat anti-COVID, ndërsa ka grumbulluar sot në Elbasan dhjetëra të rinj pa maska dhe pa respektuar asnjë distancim social. Në takimin me të rinjtë, Basha shoqërohej nga Gazment Bardhi, i cili po ashtu nuk mbante maskën mbrojtëse ndaj COVID. Kjo nuk është hera e parë që Basha shkel masat anti COVID, pasi e njëjta gjë është evidentuar edhe në aktivitet që ai ka zhvilluar më parë. Kujtojmë se edhe aktiviteti i PD i organizuar për hapjen e fushatës elektorale ishte një "bombë infeksioni", duke rrezikuar jetën e qytetarëve. Në sheshin "Nënë Tereza" pati grumbullime masive të militantëve të PD-së, ku nuk kishte më as distancë dhe as respektim masash anti-COVID. Kreu i PD-së, Lulzim Basha, ishte sot në Elbasan, në një piknik me të rinjtë. Gjatë fjalë së tij para tyre, Basha tha se sot e priste një detyrë e veçantë "skuqja e salsiçeve", për të cilat tha se nuk ja ka marrë shumë dorën, pasi në videon që bashkëshortja i postoi duke gatuar, ka qenë duke skuqur mëlçi pule. "Prandaj pa e zgjat shumë, se kemi ardhur për pikinik dhe më presin detyra të veçanta, siç është skuqja e salsiçeve në zgarë, jo nuk ja kam marrë dorën se nuk kam qenë duke skuqur salsiçe atë ditë, kam qenë duke skuqur mëlçi pule", tha Basha. Mes të tjerash ai i kërkoi votën të rinjve, duke i premtuar arsimim cilësor dhe punësim. "Unë ju siguroj se shumë shpejt rinia shqiptare do të ketë të njëjtën përgatitje si ajo europiane dhe do të jenë gati për tregun e punës. Po ju them se gjërat mund të ndryshojnë dhe ju jap garancinë time personale se mund të ndryshojnë. Ju do të keni të gjitha mundësitë të punësoheni në një ekonomi që do të zgjohet nga letargjia 8 - vjeçare. Deri më 25 prill kam nevojë për ndihmën tuaj, energjinë tuaj dhe besimin tuaj. Ndryshimi po vjen", shtoi Basha.