Basha mbyll protestën: S'ka zgjedhje pa opozitën më 30 qershor, në burg hajdutët e votave

21 Qershor 2019, 22:53

Lideri demokrat Lulzim Basha mbylli me një fjalim në selinë e Partisë Demokratike protestën e nëntë kombëtare kundër qeverisë. Basha tha se në 30 qershor nuk do të ketë zgjedhje pa opozitën, duke këmbëngulur në largimin e kryeministrit Edi Rama dhe krijimin e një qeverie tranzitore për zgjedhje të lira. Veç kësaj Basha shtoi edhe dy kushte të tjera: Lirimin e të arrestuarve për sulmet ndaj KZAZ-ve së fundi në disa bashki të djathta të vendit, dhe vënien para drejtësisë të zyrtarëve që kanë vjedhur votat, siç Basha i referohet përgjimeve të publikuara në gazetën Bild nga "184" dhe "339", dosjet që po heton prokuroria shqiptare me dyshimet edhe për shit-blerje të votave.

"Mirënjohje kam për gjithë qytetarët e Tiranës, për gjithë qytetarët shqiptarë që u bashkuan dhe u derdhën sonte në atë që do të njihet si oqeani i shpresës që nisi ndryshimin e madh. Asgjë nuk na ndal asnjë hap pas nuk hedhim, 30 qershori është varreza politike e Edi Ramës, zgjedhje pa opozitën nuk ka dhe nuk do të ketë kurrë. Sonte me bekimin dhe kërkesën tuaj, qëndrimit tonë politik për zgjidhjen e kësaj krizë përmes kushtit të panegociueshëm të largimit të Edi Ramës, të një qeverie tranzitore që do të përgatisë zgjedhje të lira dhe të ndershme, i shtohet një tjetër kusht i panegociueshëm, arrestimi dhe cuarja para drejtësisë e hajdutëve të votave tuaja, nga i pari tek i fundit. Nuk ka paqe pa drejtësi, nuk do të ketë në Shqipëri zgjedhje të lira pa cuar para drejtësisë hajdutët e zgjedhjeve. Duke kujtuar me respekt dhe mirënjohje cdo liberator të arrestuar dhe të mbajtur padrejtësisht në burg, nga Bardh Spahia me shokë, dua t'i them kupolës mafioze, të gjithë veglave qorre, nga Sandër Lleshaj tek kushdo shkel ligjin, shumë shpejt do ta zëvendësoni Bardh Spahinë në qeli, ju do të shkoni atje", tha Basha.

"Beteja do të vazhdojë ditë për ditë orë për orë. Mirënjohje nënave dhe të rinjve që e kthyen në protestën më të bukur, armatë e lirisë dhe demokracisë", përmbylli fjalimin Basha duke lënë të nënkuptuar se ndoshta do të ketë tubime çdo ditë deri më 30 qershor, 9 ditë para zgjedhjeve.

    No videos found.