Basha me kandidatet në Elbasan: Kur gruaja është e vendosur asgjë nuk e ndal ndryshimin

14 Mars 2021, 15:32

Gjatë vizitës sot në Elbasan, kryetari i opozitës Lulzim Basha, ka zhvilluar edhe një bashkëbisedim me gratë kandidate për deputete të PD-së në këtë qark. Basha tha se kur gratë janë të vendosur asgjë nuk e ndal ndryshimin. "Kur gruaja është e fortë, Shqipëria është e fortë! Kur gruaja është e vendosur për ndryshim, asgjë nuk e ndal dot ndryshimin. E shoh tek gruaja shqiptare, tek rinia shqiptare një dëshirë të papërmbajtur për ndryshim. Natyrisht është detyra jonë të bëjmë gjithçka që zotimet, angazhimet me të cilat do t’i japin formë këtij ndryshimi, t’i mbajmë një më një. Duke nisur nga ato angazhime që kanë të bëjnë me rolin e gruas shqiptare në shoqëri. Në veçanti sa i përket tejkalimit të vështirësive ekonomike që ka shkaktuar rritje e papunësisë, që ka shkaktuar rritjen e kostos së jetesës dhe vështirësitë e përditshme të grave shqiptare për t’i përballuar këto vështirësi", tha kreu i PD-së. Basha premtoi se 25 prilli nuk do të jetë thjesht një rrotacion karrigesh por një ndryshim i vërtetë. "Kandidatet tona për deputetet janë gra që vijnë si karaktere të pavarura si njerëz të padhunueshëm me dinjitetin e tyre dhe sigurisht garancisë që qeveria e nesërme unë nesër si kryeministër, të kem prioritet lartësimin e gruas dhe jo fshehjen pas grave të dhunës të psikikës së dhunës, të fjalorit të dhunës të aleancës me dhunën që për fat të keq mua dhe sot sepse kryeministri i ardhshëm nuk mund të shoqërohet me banditë as në Elbasan, as në Shkodër, as në Durrës e as kudo por do të shoqërohet me gra të zonja dhe profesioniste që do të jenë që do tu besohet kthimi i institucioneve të qytetarëve, fytyra njerëzore e politikës dhe zbatimi i programit tonë. Nuk dua të zgjatem shumë sot është një kënaqësi të ndodhem midis zonjave të nderuara të Elbasanit", tha ndër të tjera Lulzim Basha.