Basha me qytetarë që i ankohen se janë lënë në harresë, Rama: Eh mër Lul, po të bëjnë qesharak

6 Nëntor 2020, 17:25

TIRANË- Kryeministri Rama ka postuar një video në llogarinë e tij në Facebook ku i drejtohet kryetarit të Partisë Demokratike se ata që e çojnë tek qytetarët e bëjnë qesharakë.

‘Eh mër Lul mër Lul, mirë ti që fle gjumë në këmbë se nuk ke pse zgjohesh kot, po ata që të çojnë tek "hallexhinjtë" pse të bëjnë kaq qesharak xhanëm me këta aktorë që të nxjerrin në pritë’, shkruan kryeministri Rama.

Në videon e Ramës është kryetari i PD, Lulzim Basha, i cili ka shkuar në shtëpinë e Liman Filit, i cili i thotë Bashës se nuk është ndihmuar nga shteti, por sipas dokumentave të paraqitura në video, aktivisti i PD në Gjyricaj të Ishmit ka marrë 250 mijë lekë nga Bashkia e Durrësit për restaurimin e shtëpisë së tij të cilësuar me dëmtime DS2 nga tërmeti i 26 nëntorit.

Gjithashtu një tjetër qytetar që ka dalë me Bashën dhe ka thënë që nuk ka marrë as ndihmë dhe se shteti nuk ka bërë asgjë, është Agim Muharremi, kreu i PD-së në Lalëz, i cili trajtohet me bonus qiraje, me ndihma ushqimore dhe sipas dokumenteve të publikuara nga Rama do t’i rindërtohet shtëpia.

Kryeministri Rama vijon me qytetarin e tretë që i ‘qahet’ Bashës se është lënë në harresë, ndërkohë sipas vendimit të bashkisë Durrës, familja e Shpëtim Kurtit që i është shembur shtëpia është trajtuar me ndihma ushqimore dhe se nuk ka palikuar për bonus qiraja dhe shtëpia e tyre do të fillojë pas pak ditësh, pasi janë hequr inertet dhe do të hapen themelet.