Kreu i PD-së, Lulzim Basha tha se objektiv i tij kur të vij në pushtet pas zgjedhjeve të 25 prillit do të jetë turizmi duke e kthyer Shqipërinë në destinacion për turistët e pasur. Gjatë një bashkëbisedimi me studentët e Universitetit Bujqësor të Tiranës, Basha tha se turizmi gjatë gjithë këtyre viteve ka mbetur peng i primitivizmit të shërbimeve publike, ku uji dhe dritat janë ende me orar.
"Sfida jonë, të prezantojmë një rrugëdalje të qartë nga kriza. Kështu s’mund të vazhdojë është koha për ndryshim. Profesionistë si ju mund të jepni kontribut në menaxhimin e mjedisit. Nuk ka turizëm me mjedis të shkatërruar. Më 25 prill, ta nisim bashkë këtë ndryshim. Turizmi, bujqësia, agropërpunimi, blegtoria, mjedisi, sektorë të ndërlidhur. Objektivi ynë, Shqipëria destinacion i turistëve të pasur. Turizmi ka nevojë për burime njerëzore të kualifikuara. S’ka turizëm pa furnizim 24 orë me ujë, me energji elektrike me orar. Turizmi ynë, peng i primitivizmit të shërbimeve publike", tha Basha.
Basha tha se sfida më e madhe e qeverisë së ardhshme do të jetë kthimi i potencialit të rinisë në një mundësi punësimi dhe zhvillimi për vendin. Basha tha se kjo do të frenojë ikjen e rinisë nga vendi.
“Gjëja e parë që duhet të bëjmë është që këtë kapacitet të jashtëzakonshëm ta përthithim, ta bëjmë pjesë të planit të zhvillimit të vendit, në mënyrë që mos të na largohet drejt vendeve të tjera. Është detyra e qeverisë ta ndalë këtë katastrofë kombëtare të largimit dhe ky është prioriteti kryesor që ne kemi. Gjithë këtë potencial të madh të rinisë shqiptare ta vendosim në funksion të objektivit tonë kryesor që është zhvillimi ekonomik, ulja e papunësisë dhe hapja e vendeve të reja të punës. Vetëm përmes kësaj mund të sjellim një kosto jete të përballueshme. Vetëm përmes kësaj mund të përmirësojmë cilësinë e jetës të gjithë familjeve shqiptare. Vetëm përmes kësaj mund të ndalojmë emigracionin e të rinjve. Vetëm përmes kësaj mund të bëjmë të mundur që investitorët e huaj ta shohin Shqipërinë për atë që është në të vërtetë, një potencial i jashtëzakonshëm që po pret të zhvillohet. Por, ka një pengesë të madhe për zhvillimin dhe pengesa është pikërisht një qeveri që për 8 vite me radhë ka premtuar dhe s’ka mbajtur asnjë premtim. Ka dështuar të çojë përpara qoftë edhe një fushë të vetme të ekonomisë apo të zhvillimit” – tha Basha.
