Basha me studentët e mjekësisë: Shqetësim, mungesa e praktikave! Gjatë qeverisë time shpërblimi do jetë 1200 euro për mjekët

24 Dhjetor 2020, 14:55 | Përditesimi: 24 Dhjetor 2020, 15:53

Ikja e infermierëve dhe mjekëve jashtë vendit, mungesa e kushteve për të zhvilluar studimet, tarifat  e larta dhe mungesa e pagës gjatë specializimeve ishin disa nga shqetësimet që studentë të mjekësisë ndanë gjatë një takimi me kreun e Partisë Demokratike, Lulzim Basha. Basha premtoi më shumë lehtësira për studentët dhe shëndetësi, së paku në nivelin e vendeve të rajonit, ndërsa tha se Shëndetësia është shembulli më i dukshëm i 7 viteve dështim dhe premtimesh të rreme. Basha tha se pandemia nxori në hap më shumë se kurrë dështimin e Ramës, që sipas kryedemokratit po mundohet ta mbulojë me propagandë, ndërsa veprimet i ka me pikatore. 

"Shëndetësia e Ramës, shëndetësi pa mjekë, pa infermierë.  Spitalet nuk janë vetëm shtretërit.  Mjekët dhe infermierët janë të pambrojtur dhe të braktisur. Karantina, muajt e verës u shpërdoruan nga qeveria.  Mungojnë pajisjet mbrojtëse dhe pajisjet e trajtimit të pacientëve. Trajtimi ambulator deri para dy muajsh nuk kishte asnjë protokoll të unifikuar dhe çmimi i tyre ishte i papërballueshëm për familjet shqiptare. Prandaj dhe kërkuam rimbursim të plotë të kostove për pacientët me covid. Por qeveria dështoi dhe sot ka vetëm propagandë me ton dhe veprime me pikatore dhe kjo e ka sjellë situatën në parametra shumë të rënda", tha Basha.

Basha tha se Rama për 7 vite me radhë ka folur për shëndetësi falas, por në fakt ajo që është bërë, janë koncensionet  korruptive. Ndërkohë  që si zgjidhje kryedemokrati shikon ardhjen e tij në qeveri ku premton shpërblim për mjekët dhe infermierët duke e vendosur në të njëjtin nivel me atë të Kosovës, 1200 euro për mjekët dhe 700 euro për infermierët si dhe financim në të gjithë sistemin shëndetësor përmes parave të anuluara nga koncesionet që Basha i cilëson korruptive. 

b.ha./Shqiptarja.com