Basha: Mungon akti zyrtar për sigurinë e banesave, në burg kush luan me jetët e qytetarëve

14 Dhjetor 2019, 11:08 | Përditesimi i fundit: 2019-12-14 15:15:06

Kryetari i PD-së, Lulzim Basha ishte ditën e sotme në Qerret të Katundit të Ri, ku ka pasur takim me disa banorë të prekur nga tërmeti dhe që shtëpitë e tyre kanë pësuar dëmtime.

Disa banorë i kanë treguar kryetarit të PD, Lulzim Basha, rastin një akt ekspertimi të një shtëpie të verifikuar tre herë me rezultate të ndryshme.

Sipas qytetarit, dy herët e para, ekspertët e kanë nxjerrë banesën të pabanueshme, ndërsa herën e tretë e kanë nxjerrë të banueshme.

Shiko si e kanë bërë.- tha banori duke lexuar akt ekspertimin- Tjegull tulle. A ka tjegull kjo? Kjo është vetëm me soletë. Nuk e di se çfarë kanë qenë ata ekspertë! A kanë qenë çobanë delesh”,-duke treguar shtëpinë e tij.

Edhe një banor tjetër i është ankuar Bashës, ku sipas tij, në tërmetin e 21 shtatorit, banesa e tij është shpallur e pabanueshme, por në ekspertimin pas tërmetit të 26 nëntorit, e kanë shpallur të banueshme.

Nga ana tjetër, lideri i Opozitës, është shprehur se kjo që po bëhet me banorët e prekur nga tërmeti është kriminale, ndërsa ka pasur edhe një paralajmërim për ata që thonë se banesat e dëmtuar rëndë nga tërmeti i shpallin të banueshme.

“Më e rënda nga të gjitha, është se në këtë gjendje ku është kjo shtëpia ju thonë të futeni brenda, por letrën nuk jua jep. Me një lëkundje kjo bie dhe ju zë brenda, siç ndodhi në Thumanë. Përfaqësuesit e bashkisë apo qeverisë nuk jua japin as me letër dhe thonë se u futën vetë brenda. Kjo është kriminale. Kjo është t’i vrasësh banorët. Ata që i kanë shpëtuar tërmetit t’i vrasë shteti. Kjo është! Gjëja e parë, ju në asnjë mënyrë nuk do të futeni brenda pa marrë një letër nga shteti. Dhe po morët letër nga shteti, do të vijnë ta vërtetojnë me specialistë, jo me nëpunës.

Të vijë inxhinieri dhe ta firmosë. Sepse nuk ka inxhinier ta firmosë shtëpinë në këtë gjendje. Inxhinieri që firmos se kjo është e banueshme, shkon në burg. Dhe njerëzit që ju thonë futuni se është e banueshme, pa firmë, edhe ata do të shkojnë në burg. Edhe ata që ju thonë dhe i mësojnë që t’u thonë banorëve futuni në banesa të shkatërruara, edhe ata duhet të shkojnë në burg, nga i pari tek i fundit.”- u shpreh kreu i opozitës Lulzim Basha.