Basha në Durrës: Qytetarët denoncojnë se s'kanë marrë ende bonusin e qirasë, qeveria dështoi

13 Janar 2020, 17:34

DURRËS- Kreu i Partisë Demokratile, Lulzim Basha ka qenë ditën e sotme në qytetin e Durrësit, një nga zonat më të prekura nga tërmeti i 26 nëntorit në takim me banorët. Referuar njoftimit për shtyp të sjellë nga selia blu, banorët kanë deklaruar se nuk kanë marrë ende bonusin e qirasë, ndonëse ka kaluar më shumë se një muaj nga ajo lëkundje tragjike. Mes të tjerave, ato kanë deklaruar gjithashtu se shtëpitë e tyre as nuk janë parë nga ekspertë për të parë nëse janë të banueshme ose jo.

Paguam nga 45 mijë lekë për dokumente tek noteri, hapëm numrin e llogarisë në bankë, siç e kërkuan dhe akoma nuk ka kaluar asnjë lek”, thanë dy nga qytetarët.

“Nuk të shikojnë me sy, nuk të hapin dyert për asnjë gjë. Të përcjellin duke gënjyer. Ku të vemi të përplasemi, sepse nuk dimë ku të përplasemi,” tha një punëtore e fasonerisë.  

“Kemi dalë dhe kemi hyrë prapë, në shtëpi, sepse nuk na ka ardhur njeri të na shikojë shtëpinë ku jetojmë ose të na japë një ndihmë“, tha një tjetër.

Për Bashën, as zgjatja e gjendjes së emergjencës nuk shërbeu për asgjë, pasi sipas tij qeveria Rama nuk po punon për t'u ardhur në ndihmë të prekurve nga tërmeti.

 “Këta e zgjatën gjendjen e jashtëzakonshme, por asgjë nuk po bëjnë për t’u ardhur në ndihmë njerëzve”, u shpreh Basha.

Kryedemokrati është ndalur që të flasë për planin e PD-së për zhvillimin ekonomik të vendit pas tragjedisë.

“Unë jam këtu për t’ju thënë se ka një zgjidhje, ka një alternative, të cilën do ta vendosni ju me votë. Ndryshimin e keni ju në dorë. Ulja për biznesin e taksës nga 15% në 9%, ulja me 30% e çmimi të energjisë, ulja me 500 lekë për çdo litër karburant. Të gjitha këto para, të cilat biznesi sot ia paguan shtetit në formën e taksave, ne do t’ia lëmë biznesit dhe do të vendosim me ligj për rrogën minimale 300 Euro. Edhe biznesi fiton më shumë, edhe punëmarrësi fiton më shumë dhe situata sociale rregullohet. Ky është propozimi ynë. Doni të bëhet ligj? Vota e vendos. Dy gjëra mos harroni, që vendi i ka mundësitë, nuk ka përse të jetë kështu situata dhe që këto mundësi të kthehen në realitet e keni ju në dorë me votë", u shpreh Basha. 

Gjatë qëndrimit në Durrës, kreu i opozitës vizitoi edhe një biznes të prodhimit të bulmetit, ku shpjegoi se në planin e Partisë Demokratike ndihma për bizneset me bazë prodhimet bujqësore dhe blegtorale është prioritet, duke i mbrojtur njëkohësisht edhe nga prodhimet e pakontrolluara të importit.