Basha në familjen e çiftit të moshuar në Kavajë: Rrisim me 5% pensionet çdo vit, unë do punoj për ju

11 Mars 2021, 17:36

Gjatë vizitës në Kavajë, kryetari Lulzim Basha u ndal në një familje pensionistësh në këtë qytet ku bisedoi për situatën sociale dhe ekonomike të tyre. Basha u premtoi atyre se kur të vijë në pushtet do të rrisë pensionet me 5% çdo vit, sakaq ka shtuar se çdo muaj do të ketë bonus 20 mijë lekë të vjetra për të gjithë pensionistët.

“Këto 8 vite pensionet janë rritur më pak se ç’janë rritur çmimet prandaj thonë janë rritur më pak se norma e inflacionit. Ne do ti rrisim minimalisht sa dyfishi i normës së inflacionit por jo më pak se 5%. Ndërsa për pandeminë, që ditën e parë do të vëmë në efekt atë paketën që ja propozuam këtyre dhe këta nuk e bënë se e kanë mendjen me ja dhënë lekët oligarkëve që çdo pensionistë do marrin nga 20 mijë lekë në muaj të paktën për këto shpenzimet e pandemisë jo higjienizuese për duart jo maska jo diçka tjetër. Ndërsa sa i përket ilaçeve që është problemi kryesor i çdo pensionisti rimbursimin do të bëhet si mbas diagnozës”, tha Basha.

Gjatë takimit Basha tha se ata meritojnë një qeveri dhe një qeverisje në lartësinë e duhur e pritshmërive tuaja.

“I duhet një qeveri e cila përkushtohet dhe një qeveri në lartësinë e pritshmërive tuaja. Nuk do të jetë një qeveri që do të reflektojë llumin e llumit. Ju e keni në Kavajë sesi në vend që të sillte njerëzit më të mirë, Partia Socialiste ka sjellë llumin e llumit. Të njëjtën gjë ka bërë edhe me qeverinë në Tiranë. Nga ne meritoni, prisni edhe do të keni një qeveri dhe një qeverisje në lartësinë e duhur e pritshmërive tuaja duke filluar nga kryeministri te ministrat te njerëzit që ju shërbejnë, dyert e institucioneve do të rihapen për njerëzit, ligji do funksionojë. Ky është formimi im, kjo është ajo që besoj unë dhe ka ardhur koha në 2021 në vend që të shkojmë mbrapa mbas tetë vjet ngecje në vend të ecim përpara dhe të ndërtojmë edhe në Kavajë edhe në të gjithë Shqipërinë një qeverisje normale me politika që ndihmojnë njerëzit, gjithçka duhet të ndryshojë. Tek pensionet gjëja e parë që duhet të ndryshojë është që të rrisim buxhetin për pensionet e pensionistët të kenë mjaftueshëm para, të kenë vendin e tyre në shoqëri dhe me dinjitet sepse me pensionet që keni sot ju s’pini dot një kafe pasi paguani ilaçet edhe dritat”, tha ai.