Basha në krah të Metës: Mbështes tubimin, qytetarët të mbrojnë Kushtetutën

23 Shkurt 2020, 17:09

Opozita më në fund ka folur se çfarë do të bëjë për protestën e 2 marsit duke u rreshtuar krah presidentit Meta, si qytetar në tubim. Basha tha se thirrja e presidentit është për të mbrojtur 'kushtetutë dhe drejtësinë që po kapet nga oligarkët dhe puçistët'. Sipas Bashës, tubimi i 2 marsit nuk është për partitë politike, por për qytetarët shqiptarë pasi demokracia është në rrezik  dhe institucionet po shkatërrohen çdo ditë. Pjesëmarrja e opozitës në tubim do të jetë si qytetarë të thjeshtë dhe një gjë të tillë e tha një ditë më parë edhe Monika Kryemadhi.

 'Shqipëria gjendet në një krizë të thellë kushtetuese, krahas krizës ekonomike që të gjithë shqiptarët e përjetojnë përditë. Si qytetarë, nuk mund të mbyllim sytë kur shteti ligjor merret peng, kur institucionet shkatërrohen, dhe demokracia është në rrezik. Kapja e Gjykatës Kushtetuese do të thotë asgjësim i të drejtave dhe lirive të çdo qytetari. Ne nuk mund të pranojmë që Shqipëria të kthehet 30 vite prapa. Thirrja e Presidentit nuk është për partitë politike, apo për të djathtët apo të majtët, por për qytetarët shqiptarë që të mbrojnë themelin e demokracisë që është Kushtetuta. Si qytetarë që duam që vendi të bëjë hapa para drejt konsolidimit të demokracisë, duhet t’i përgjigjemi çdo thirrje në mbrojtje Kushtetutës dhe funksionimin demokratik të institucioneve të pavarura. Prandaj unë e mbështes tubimin e thirrur nga Presidenti për Kushtetutën! Duhet ta kujtojmë gjithmonë se sovrani është populli. Dhe ushtrimi më i lartë i këtij pushteti është të largojmë me zgjedhje të lira e të ndershme këtë Qeveri të dështuar. Kudo ku shkoj dhe këdo që takoj, kërkesa kryesore e qytetarëve është të kenë një Qeveri të zgjedhur prej tyre dhe që kujdeset për ta, që i dëgjon dhe që është e ndershme me ta", shkruan Basha