Basha në takim me personat që kanë kaluar COVID: Rama të mos fshihet pas Komitetit të Ekspertëve, se taksat qeveria i mbledh dhe qeveria i shpenzon

11 Nëntor 2020, 14:18 | Përditesimi i fundit: 2020-11-11 18:11:38

TIRANË- Disa prej tyre dolën fitimtarë nga beteja me armikun e padukshëm, të tjerë humbën njerëzit e afërt. Aldi Gjurbavija, Muharrem Poleshi, Amarda Hanku, Xhemile Mema ishin mes qytetarëve që përjetimet e luftës me koronavirus i ndanë me kryedemokratin Lulzim Basha. Teksa lufta me koronavirus po bëhet gjithnjë e më e ashpër dhe qeveria po merr masa konkrete, kreu i Partisë Demokratike vazhdon të tregohet kritik me masat e marra. Madje ai i kërkon kryeministrit Rama të mos fshihet pas Komitetit Teknik të Ekspertëve.“Në mëshirë të kujt janë lënë? Në mëshirë të fëmijëve, në mëshirë të fatit? Po ata që nuk e kanë mundësinë, se nuk i kanë fëmijët emigrantë? Po ata që nuk e kanë mundësinë të marrin borxh? Kjo do të thotë t’i dënosh njerëzit e tu me vdekje. Dhe për këtë po, fajin e ka kryeministri, fajin e ka qeveria dhe s’mund të fshihet pas asnjë Komiteti, se këto janë vendime që i merr qeveria. Qeveria vendos se ku do t’i shpenzojë paratë e taksave që u kërkojnë njerëzve", tha Basha. Edhe pse kryeministri Edi Rama mëngjesin e kësaj të mërkure publikoi pamjet nga spitali COVID/3, duke thënë se situata është nën kontroll, kreu i demokratëve i qëndron idesë se spitalet COVID nuk kanë me vende për pacientët dhe mjekët po punojnë në kushte çnjerëzore. “Po nuk ka COVID 4 dhe njerëzit janë të paketuar me 4-5 vetë në sallë, më thonin mjekët mbrëmë, tek infektivi dhe tek “Shefqet Ndroqi”. Dhe pastaj kjo sjell pasoja më të rënda. Se duke parë njëri-tjetrin duke vuajtur, është dhe rëndesa psikologjike, dhe zonja e tha në momentin që mësova që kam COVID, u rëndova psikologjikisht. Po këta që kalojnë javë e javë të tëra brenda spitalit. Dhe fatkeqësi pas fatkeqësie, është një zinxhir fatkeqësish i cili mund dhe duhej të ishte ndërprerë nga qeveria, sepse këto janë përgjegjësi të qeverisë", shtoi ai. Më herët gjatë ditës, Basha tha nuk po e përdor pandeminë si çështje politike, por po ofron plan për zgjidhje të situatës.