Basha: Negociatat nuk hapen prej drogës, bashkohuni ne protestë të rrëzojmë qeverinë

24 Maj 2018, 13:05

Ashtu siç ishte paralajmëruar nga opozita, seanca e sotme është shoqëruar me tensione të forta dhe bllokim të foltores së Kuvendit. Deputetët e opozitë kanë bllokuar për më shumë se një orë zhvillimin e seancës, duke mbajtur peng foltoren dhe duke transmetuar fjalimet e tyre live në 'Facebook'.

Opozita tregoi hapur sot se është kundër integrimit të Shqipërisë në BE, teksa braktisi sallën e Kuvendit, në një moment shumë të rëndësishëm, kur do diskutohej pr/rezoluta e KE për integrimin e vendit tonë. PD dhe LSI u larguan nga seanca kur do të diskutohej Raporti i Këshillit të Ministrave “Mbi gjetjet dhe rekomandimet e raportit të Komisionit Evropian për Shqipërinë 2018” (pdf) (neni 18, pika 2, ligji nr. 15/2015 “Për rolin e Kuvendit në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian”

Gramoz Ruçi ka ndërprerë dy herë seancën, duke pritur të qetësohet situata, por opozita ka vijuar të mbajë peng foltoren, duke transmetuar fjalimet live në 'Facebook'. Nga Foltorja e Kuvendit, hodhi akuza të forta ndaj ministrit Fatmir Xhafaj dhe vëllait të tij, Agronit, kreu i PD, Lulzim Basha. Ky i fundit deklaroi se ministri dhe vëllai i tij duhet të jenë subjekt i ligjit Antimafia, për t'iu nënshtruar kontrollit pasuror.

Nuk i caktova unë deputetët e kryetarët e bashkive, trafikantë, kriminelë, përdhunues, por i bëri Edi Rama. Të vërtetës nuk i ikën dot as ti, as Xhafaj dhe as qeveria juaj e lidhur kokë e këmbë me krimin. Ke humbur totalisht arsyen për të shpëtuar Fatmir Xhafajn. Vëllai i tij u largua me ndihmën e policisë. Ky është një veprim skandaloz. Ai u largua 10 orë pas përgjimit, kjo është prova. Fatmir Xhafaj dhe Rama ofruan gjithë infrastrukturën për ta pritur natën në Prokurori dhe për ta larguar. Fatmir dhe Agron Xhafaj funksionojnë si kokat e një familjeje kriminale.

Sot shteti ka rënë, pasi shkelet Kushtetuta për të mbrojtur Agron Xhafajn, shkelet ligji Antimafia, që u miratua për t’i dhënë garanci BE se Shqipëria do të kishte vullnetin për të goditur krimin dhe pasuritë e krimit. 

Nëse dikush dyshohet, ka indicie, se është pjesëtar i krimit të organizuar apo se merret me trafik droge, pasuritë e tij dhe të familjarëve të tij verifikohen, sekuestrohen, dhe nëse nuk justifikohen, konfiskohen, thotë ligji Antimafia, që ka për qëllim të shkatërroj krimin e organizuar. Fatmir Xhafaj duhet t’i nënshtrohet kontrollit të pasurisë. Ministri është në parim subjekt i ligjit Antimafia, sepse vëllai i tij nuk është thjesht i dyshuar si trafikant droge, por është i dënuar si anëtar i një organizate ndërkombëtare, si një nga krerët e një organizate droge. 

    No videos found.