Basha: Nesër nisim mosbindjen civile, ja pikat strategjike që bllokojmë

4 Prill 2018, 15:37 | Përditesimi: 4 Prill 2018, 17:45

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka zbuluar pikat strategjike që do të bllokohen ditën e nesërme nga opozita, e cila do të ngrihet në protestë kundër taksës në Rrugën e Kombit.

Opozita do të nisë nesër mosbindjen civile, duke iu bërë thirrje qytetarëve të bashkohen dhe të dalin në rrugë kundër qeverisë Rama.

“Do jemi nesër në protestat e njoftuara nga qytetarët, sipërmarrësit e vegjël, fermerët, njerëzit që janë larguar nga ndihma ekonomike, në Bradashesh, Vorë, Milot. Do jemi në krah të tyre, një popull i bashkuar do të rezistojë. Kjo diktaturë dhe tirani e krimit i ka orët e numëruara. Socialistët e ndershëm ta refuzojnë këtë bandën në pushtet. I thërras të gjithë të bashkohemi nesër”

Lulzim Basha, kryetar i PD

Gjithashtu, Basha hodhi akuza të forta ndaj Ramës pas vendimit të gjykatës për të lënë në burg 11prej protestuesve të arrestuar në Rrugën e Kombit, duke thënë se kryeministri ka privatizuar policinë, prokurorinë dhe gjykata. 

"Rama ka privatizuar policinë, gjykatat, prokurorinë. Ky është regjim që shkel e nëpërkëmb liritë dhe të drejtat e qytetarëve. Gjykatat, prokuroria, policia kanë shkelur të drejtat e qytetarëve të pafajshëm. Lulzim Popa, invalid, u grabit në mes të natës dhe mbajt pa ilaçe. U ngrit se nuk kishte para të paguante traun që i vunë te dera e shtëpisë. Ai burgos qytetarët dhe lë të lirë Tahirin. Sejdini  që me bandën e tij terrorizojnë një qytet të tërë. I lir Arben Ahmetaj që iu merr qytetarëve milionat me inceneratorët. Rama ka privatizuar policinë që sot bëri shtetrrethim në Tiranë. Ka privatizuar gjykatën, që sot dhunoi deputetët e opozitës, sepse nuk donte që shqiptarët të dëgjonin dëshmitë tronditëse të kuksianeve të pafajshëm, që protestuan për bukën e gojës. Regjimet, të cilat i kundërvihen interesit publik, janë vetëm hapa para rrëzimit. Popullin shqiptar nuk e rrëzon dot, ne do jemi në krah të tyre"

b.ha./Shqiptarja.com