Basha nga Gjirokastra: Skena na thërret, bashkohuni me 11 maj

9 Maj 2019, 18:08

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha po zhvillon një takim më mbështetësit e PD-së në Gjirokastër. Basha u ka kujtuar qytetarëve që ti bashkohen protestës së PD me 11 Maj. Në fjalën e tij Basha ka thënë se Partia Demokartike së bashku me partitë e tjera opozitare sot përbëjnë mazhorancën  dhe se ata do të sjellin Europën në Shqipëri.

"Sot është 9 maj, dita e Evropës dhe sot nga Gjirokastra kjo energji e jashtëzakonëshme, ngjitëse, frymëzuese për kauzën tonë të madhe i thotë cdo shqiptari, pavarësisht prej bindjeve politike, moshës, krahinës, fesë, se ky komb është i bashkuar dhe i vendosur për Shqipërinë si e gjithë Evropa. Me këtë ëndërr nisi kryengritja studentore 30 vite më parë, me këtë amanet u themelua PD. 30 vite tranzicion kanë qenë një udhëtim  plot sakrifica drejt Evropës. Edhe ju Gjirokastritët keni qenë dëshmitarë të emigracionit drejt Greqisë. Kush s’e di se emigracionin dhjetëra të rinj e paguan edhe me jetë. Kush nuk e di rrugëtimin tonë plot sakrifica që është shkruar në memorien e nënave dhe baballarëve të Shqiëprisë, e në veçanti të Gjirokastrës. 30 vite për të shkuar në Evropë, por edhe hapa për ta sjellë Evropën këtu. Nuk është rastësi se këto hapa janë marrë nga demokratët shqiptarë, nga PD, që nga anëtarësimi në KE, nënshtkrtimi i MSA, marrja e ftesës për në NATO, anëtarësimi në NATO, heqja e vizave dhe marrja e statusit për vendin kandidat. Sot edhe njëherë po na thërret në skenë, në skenën e vendimit të madh politik, po na thërret vokacioni perëndimor, ndaj thirrja ime e parë ndaj aktivistëve tanë dhe ndaj qytetarëve tanë, shqiptarë e minoritarë: bashkohuni me 11 maj për Shqipërinë si e gjithë Evropa." ka deklaruar Basha.