Basha ngushëllon familjet e viktimave, falenderime edhe qytetarëve që respektuan masat

23 Mars 2020, 15:05

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha përmes një komunikimi drejtpërdrejtë nga selia blu, pak minuta më parë, ka shprehur ngushëllimet e tij të gjithë familjarëve të viktimave nga COVID-19.

Të ndodhur në një situatë të vështirë për shkak të pandemisë së koronavirus, Basha iu ka uruar shërim të shpejt të gjithë të infektuarve, ndërsa ka falenderuar qytetarët për respektimin e masave të marra duke qëndruar në kushtet e izolimit ditën e djeshme.

Të dashur qytetarë!

Kjo javë nis me një rritje të numrit të të infektuarve nga koronavirus dhe për fat të keq edhe të numrit të viktimave. Ju ofroj ngushëllimet e mija të gjithë familjëve të viktimave dhe ju uroj nga zemra të gjithë atyre që ndodhen në kushtet e infektimit dhe të shtrimit spitalor, shërim sa më të shpejtë. Dua të falënderoj gjithsecilin prej jush që respektuat ditën e djeshme rregullat e vetë-izolimit...”, është shprehur Basha.

Kreu i PD-së Lulzim Basha i ka bërë thirrje qeverisë që të shpall gjendjen e jashtëzakonshme në të gjithë vendin si dhe të urdhërojë mbylljen e të gjithë bizneseve me dendësi të madhe punonjësish, si call centerat apo fasoneritë.

“Të dashur qytetarë!

Sot është koha që të gjithë të bashku të bëjmë cfarë të mundemi për të ndaluar koronavirusin. Të gjithë kemi një armë të fuqishme në duart tona dhe ky është distancimi social. Përmes ruajtjes së rregullave të distancës edhe kur ne dalim nga shtëpia për të kryer nevojat e domosdoshme të ditës, ne mund dhe do ta ngadalësojmë virusin.

Nga ana tjetër dua t’i bëj thirrje qeverisë të shpallë gjendjen e fatkeqësisë natyrore në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë.

Dua po kështu ti bëj thirrje qeverisë të urdhërojë mbylljen e të gjithë bizneseve me dendësi të madhe punonjësish në ambiente të mbyllura, siç janë fasoneritë, call centerat apo të tjera fabrika prodhimi ku afërsia fizike e punonjësve përbën një rrezik të pashmangshëm për transmetimin e viriusit dhe kthimin e tyre në bartës dhe të infektuar të virozës”, ka thënë Basha.