Basha: Nuk do të ketë zgjedhje më 30 qershor, nuk do ta shkarkojë kush presidentin

10 Qershor 2019, 17:39 | Përditesimi i fundit: 2019-06-10 17:39:22

Lideri demokrat Lulzim Basha i quajti blofe të kryeministrit Edi Rama, iniciativën për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta nga Kuvendi dhe vendosmërinë për zhvillimin e zgjedhjeve më 30 qershor, edhe pas anulimit të tyre me një dekret të dytë nga kreu i shtetit. Në një deklaratë për mediat nga selia blu, Basha tha se zgjedhjet nuk do të mbahen më 30 qershor dhe se askush nuk do të shkarkojë presidentin.

Pjesë nga fjala e Lulzim Bashës
"Është një periudhë e mjegullt dhe shqetësuese, prandaj dua të ndaj me ju disa të vërteta. Nuk do të ketë zgjedhje lokale në 30 qershor dhe nuk do ta shkarkojë kush presidentin. Rama po përpiqet që të bombardojnë opinionin me dy përbetime, se do të i mbajë zgjedhje pa dekret dhe pa pjesëmarrje dhe se do të nisë procedurat për shkarkimin e Presidentit.

Janë bllofe dhe zhurmë. Rama nuk do që të flitet për Avdylajt, Dakot dhe krimin e drogën, etj. Po kërkon të vendosë në skenë një telenovelë me dramaticiet presidencial dhe zgjedhor. Astrit Avdylajt është kryetari i Durrësit, tatimori dhe doganieri. Ky është fakti dramatik, që provoi shkrirjen e krimit dhe PS-së në një. Unë do të kisha dashur që të isha marrë më shumë me programe dhe ligje sesa me betejën kundër krimit dhe drogës.

Por këmbëngulja ime është përpjekje për të zgjuar shoqërinë nga shpërfillja. Kur droga dhe krimi futen në politikë, në të nuk ka vend më për politikanë. Drogën nuk e kam sjellë unë në Shqipëri. Nuk jam unë ai që është ulur me kriminelët. Krimin, drogën dhe të keqen e ka futur Edi Rama. Meqë disa socialistë sot kanë dëshirë të flasin për shkarkimin e Presidentit?

Kam një pyetje, kush do ta gjykojë, Ilir Ndrazhi apo Jurgis Çyrbja, Rrahman Rrajha, Rreme Lala. Kush do ta gjykojë Damin Gjiknuri, apo Arben Ahmetaj, apo Taulant Balla. Nuk më takon as mua të gjykoj vendimin e Presidentit, edhe pse e mbështes. Vendimi Kushtetues dhe i përgjegjshëm i presidentit u shërben njerëzve.

Ka vetëm një institucion që mund të shprehet Gjykata Kushtetuese, këtë e ka shkatërruar Edi Rama. Në kushtet e sotme nuk ka mundësi për zgjedhje të lira as me 30 qershor, as me 30 korrik dhe as me 30 gusht, jo përpara se të largohet Rama, Dako, Gjiknuri dhe bashkëpunëtorët e tyre të krimit të dalin para drejtësisë për vjedhjen e zgjedhjeve. Përpjekjet tona nuk janë për pazare datash, po betejë për lirinë e votës.

    No videos found.