Basha pas takimit me aleatët: Bashkë krah shqiptarëve dhe kundër Ramës! Ja dy skenarët

6 Tetor 2020, 18:06

Një ditë pas miratimit të Kodit të ri Zgjedhor me 97 vota nga ligjvënësit, kryedemokrati Lulzim Basha mblodhi në selinë blu aleatët. Në takimin që zgjati rreth një orë, ku mungoi Shpëtim Idrizi, kurse Kryemadhi  dërgoi Petrit Vasilin, Basha dhe krerët e partive aleate diskutuan për mënyrën sesi do të shkojnë në zgjedhje.

Por Opozita e Bashkuar ende i ka sytë nga Presidenti Ilir Meta. Burime nga mbledhja pohuan për Report Tv se jashtëparlamentarët shpresojnë që Kreu i shtetit të mos dekretojë ndryshimet e djeshme në Kod. Të njëjtat burime pohojnë se opozita e Bashkuar do të presë deri në afatin kur Meta ka të drejtë të kthejë ligjin, por edhe reagimet e mëtejshme të ndërkombëtarëve për të dalë në një vendim.

Por më herët në deklaratat për mediat, ata kanë theksuar se me apo pa koalicione, do të gjejnë formulën për të maksimizuar votën e për të sjellë rotacionin. Formula më e diskutuar është dalja me dy lista, ku një pjesë e aleatëve do të përfshihen në listat e Partisë Demokratike dhe disa prej tyre në listat e LSI.

Një tjetër formulë është lista unike, nisur edhe nga deklarata e Lulzim Bashës në përfundim të mbledhjes me aleatët. Ndonëse refuzoi mikrofonat, Basha tha se vendimi është marrë për të qenë të gjithë bashkë krah shqiptarëve. “S’ka formula ta shpëtojnë Ramën, vetëm po ndërroi të gjithë votuesit”  u shpreh kryedemokrati.