Basha pas takimit me ministrin hungarez: Shqipëria në 8 vite vendnumëro për integrimin!

12 Shkurt 2021, 15:05 | Përditesimi: 12 Shkurt 2021, 15:05

Kreu i PD Lulzim Basha ka folur pas takimit me ministrin e Jashtëm të Hungarisë Péter Szijjártó. Gjatë deklaratës së tij Basha tregoi disa detaje nga biseda me zyrtarin e lartë, duke shtuar se pas 25 prillit do të nisë një epokë e re për vendin tonë sa i pëket procesit të integrimit. Basha deklaroi se pas 25 prillit, procesi i integrimit Europian do të jetë suksesi kryesor.

"shpreha ministrit të jashtëm Szijarto mirënjohjen e thellë timen dhe të Partisë Demokratike dhe të Opozitës së Bashkuar për mbështetjen që Hungaria i jep Shqipërisë në rrugëtimin e saj drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.

Për fat të keq kemi humbur 8 vite, Shqipëria ka mbetur në vendnumëro, s’ka bërë dot asnjë hap përpara për shkak sepse kryeministri në ikje Edi Rama ka vënë interesat e tij personale dhe politike mbi interesat e shqiptarëve dhe ka bllokuar integrimin europian të vendit.

E garantova se pas 25 Prillit do të kemi një erë të re të bashkëpunimit me Hungarinë dhe me vendet e tjera anëtare të Bashkimit Europian, me qëllim përshpejtimin e procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian duke nisur me plotësimin e të gjitha kushteve që do të çojnë në hapjen e negociatave. Ishte pikërisht dështime i këtyre 8 viteve të Edi Ramës që nga 3 u bën 5, 9 dhe pastaj 15 kushte dhe do të jetë ndryshimi i 25 Prillit që do të bëjë të mundur zhbllokimin e rrugës europiane të Shqipërisë.

Procesi i anëtarësimit duke filluar me hapjen e negociatave do të ndihmojë po kështu në përmirësimin e klimës së biznesit dhe besimit të investitorëve të huaj. Kjo do të thotë më shumë garanci për investimet e huaja, më shumë garanci për punësim dhe mirëqenie për qytetarët shqiptarë.

b.ha./Shqiptarja.com