Një ditë pas mosbindjes civile ku u bllokuan disa prej akseve rrugore kryesore në vend, kryetari i PD, Lulzim Basha u ka bërë sërish thirrje qytetarëve që të vijojnë kryengritjen. Basha tha se opozita do vijojë të qëndrojë përkrah popullit të thjeshtë të cilët sipas tij po dhunohen dhe grabiten nga qeveria.
Deklaratat e tij Basha i bëri pas një takimi që pati në selinë e PD me të liruarit nga Gjykata e Tiranës, pas akteve të dhunës të shtunën e kaluar në "Rrugën e Kombit".
"Kam pritur në taikim prindërit nga Kukësi të cilët u liruan me kusht. U ngritën për mbijetesën e tyre dhe të prindërve të tyre. Këta Edui Rama i do në burg. Rama dhe Arta Marku kanë ngritur një sistem për të terrorizuar qytetarët e Kukësit. Edi Rama është një frikacak, i futur në bunker. Nga bunkeri i tij nuk arrin dot të kuptojë dhimbjen, brengën që nxiti revoltën e njerëzve të thjeshtë.
U bëj thirrje sot të gjithë shqiptarëve që të vazhdojmë të gjithë së bashku kryengritjen shqiptare, aktin që ndërmorën qytetarët e kukësit për të refuzuar grabitjen dhe padrejtësinë nga kjo qeveri, të vazhdojmë të gjithë deri në fund, deri në fitore, për t'i dhënë fund njëherë e mirë një shteti grabitqarë dhe të padrejtë, një shteti të privatizuar nga Edi Rama. I trajton qytetarët si terroristë, ndërsa kriminelët, trafikantët, ministrat e korruptuar, ata që kanë vnënë milionë dollarë pasuri nga taksa e qarkullimit, të japin përgjegjësi një orë e më parë para ligjjit. Kjo që ka nisur në Kukës nuk do ndalet. Ne s'do ndalemi derisa të lirohen njëherë e mirë të 11 qytetarët e arrestuar për taksën në Rrugën e Kombit dhe të shkojnë para ligjit projektuesit e kësaj dhune. Nuk do ndalemi deri në anulimin e taksës në Rrugën e Kukësit. Jemi dhe do të jemi deri në fund, deri në fitore, përkrah njerëzve të thjeshtë.
Lulzim Basha, kryetar i PD