TIRANE -Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka bërë publike propozimet në lidhje me sistemin zgjedhor, pak orë pasi PD kërkoi shtyrje të Tryezës Zgjedhore ku do të diskutohej pikërisht kjo gjë. Ajo që vihet re në propozimet e PD është se të gjitha kërkojnë ndryshme kushtetuese, që do të thotë se afti i 15 marsit i vendosur për miratimin e reformës zgjedhore nuk i mundëson kohën e nevojshme. Mos vallë Basha po kërkon shtyrjen e reformës zgjedhore?
Një nga pikat e reja në kërkesat e Bashës është krijimi i një senati, pra një parlament me dy dhoma, duke marrë shembull SHBA, Italinë apo Francën që sipas kryedemokratit do të siguronte balancimin e pushtetit në mënyrë që të mos përqendrohet në një dorë (Basha akuzon mazhorancën se ka marrë të gjithë pushtetet, por fatkeqësisht ishte vetë opozita që ia dha vetë në dorë me djegien e mandateve, duke prishur balancën e pushtetit). Sipas Bashës duhet të ngrihet një senat me 40 deputetë dhe Parlamenti të veprojë me 100 deputetë.'Sistemi zgjedhor të garantojë kontrollin dhe balancimin e pushteteve, në mënyrë që pushteti të mos përqendrohet në një dorë. Propozojmë ngritjen e një Senati për llogaridhënien e qeverisë. 40 anëtarët e Senatit zgjidhen bashkë më 100 anëtarët e Parlamentit. Parlamenti me dy dhoma nuk rrit koston për qytetarët, por ndryshon mundësinë për t’u shërbyer njerëzve në mënyrë pozitive. Arroganca dhe presioni i qeverisë nuk do të funksionojnë më për një parlament të fuqizuar me dy dhoma. Qeveria duhet të kërkojë konsensus me të dy dhomat. Shembuj janë vendet më të zhvilluara me Senat: SHBA, Mbretëria e Bashkuar, Franca dhe Italia vende me parlament me dy dhoma', shprehet Basha para të rinjve dhe intelektualëve.
Gjithashtu një tjetër propozim i PD-së është ngritja e një 'vettingu' për të gjithë kandidatët për deputetë dhe kryebashkiakë. Pas denoncimit që PD ka bërë për disa kryebashkiakë për vepra të ndryshme penale, nxori në dritë se plotësimi i formularit të dekriminalizimit nuk mund të ndalojë kandidimin e peronave që ligji nuk i lejon. Si zgjidhje për këtë PD shikon nevojën emergjente të ngritjes së një strukture të posaçme dhe pavarur që do të merret me vërtetimin e integritetit dhe pastërtisë së figurës së tyre. Dhe ky organ i pavarur sipas Bashës duhet të vendoset si rregull kushtetues e ligjor.
'Zgjedhjet në Shqipëri janë prishur. Vota jonë nuk ka vlerë për shkak të paracaktimit të rezultatit. Është koha të ndryshojmë rregullat. Ndryshimi i parë, kontroll të plotë kushtetues dhe ligjor mbi kandidatët, që të jenë të pastër dhe me integritet. Kontrolli të bëhet nga një organizëm i pavarur. Ndryshimi i dytë, tolerancë zero për ata që përfshihen në shitblerjen e votës. Edi Rama i ka mbrojtur dhe promovuar, ne do t’i çojmë në burg', tha Basha.