Basha sfidon dhe kërcënon SPAK: Arben Kraja do mbajë përgjegjësi për mos-nisjen e hetimeve për inceneratorët!

16 Tetor 2020, 15:58 | Përditesimi: 16 Tetor 2020, 15:58

TIRANË- Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka teksa akuzoi qeverinë për aferat korruptive me inceneratorët, ngarkoi me përgjegjësi kreun e SPAK, Arben Kraja për mungesën e hetimeve. Kryedemokrati i bëri thirrje Krajës të denoncojë presionet nëse ka patur, ndryshe do mbajë përgjegjësi për heshtjen. Në një kohë kur ambasadorja e SHBA-së, Yuri Kim u ka bërë thirrje palëve politike që të mos ndërhyjnë në punën e SPAK, Basha kërcënon hapur me emër të përveçëm, kryeporkurorin Arben Kraja.

"Arben Kraja kreu i SPAK të dalë sot para qytetarëve të thotë ku janë hetimet. Ose nëse ka presion mafioz të dalë të thotë që ne ti dalim në krah. Përndryshe po hesht ashtu siç bën pronari i inceneratorëve dhe për këtë do të marrë përgjegjësi", tha Basha.Në daljen e tij për media, tashmë e përditshme, Basha tha se me ardhjen e tij në pushtet do të anulojë çdo tender abuziv dhe se do të vërë përpara drejtësisë çdo zyrtar i përfshirë. "Me dispozitat e ligjit anti-mafioz, do të pezullohen, hetohen, anulohen, çdo aferë korruptive, por të gjithë, nga zyrtari më i thjeshtë te më i larti, çdo partnerë do të vihet para ligjit dhe drejtësisë",  tha ndër të tjera Basha. Megjithatë përgjigja e kryeministrit Edi Rama erdhi menjëherë, i cili i quajti akuzat gënjeshtra, duke theksuar se "do apo nuk do ai, Shqipëria do të pastrohet nga plehrat".

b.ha./Shqiptarja.com