Basha: Shkodra në gjendje lufte! Balla: Kur ishe ti ministër kishte më shumë të vrarë

3 Shtator 2018, 19:14

Sot nisi sesioni i ri parlamentar, ndërsa opozita e bojkotoi Kuvendin. Grupi i PD dhe LSI vendosën që të mblidhen paralelisht në Shkodër në të njëjtin orar që po zhvillohej seanca plenare në Tiranë në orën 17:00. Arsyeja e vendimit të opozitës lidhet me ngjarjet e fundit kriminale në kryeqendrën e veriut. Në mbledhjen e cilësuar si të jashtëzakonshme mungonte Kryemadhi, LSI përfaqësohej nga kryetari i grupit Petrit Vasili, ndërsa të pranishëm ishin edhe Berisha dhe kryetarja e Bashkisë Ademi.

Lideri i PD u shpreh se Shqipëria ndodhet në gjendje lufte, pasi po vriten biznesmenë dhe po kërcënohen gazetarë, referuar edhe rastit të sotëm të kërcënimit të gazetarit të Report Tv në Fushë Krujë, Julian Shota. Kryetari i PD Lulzim Basha denoncoi se në Shkodër në javët e fundit u rrëmbyen edhe dy fëmijë, por u liruan, pasi grupet kriminale morën gjobën që kishin vendosur.

Gjithashtu Basha i bëri thirrje drejtorit të Policisë së Shkodrës, Vehbi Bushati, të japë menjëherë dorëheqjen nëse nuk është i aftë të kryejë detyrën. Përballë kësaj situate, Basha përsëriti se nuk ka asnjë mundësi bashkëpunimi me qeverinë dhe theksoi se e vetmja rrugë është largimi i Ramës për të çliruar Shqipërinë. 

Jemi këtu për dy arsye, për të dhënë një mesazh të prerë në mbështetje të Shkodrës për një qëndresë të prerë kundër bandave dhe krimit, që po marrin peng të sotmen dhe të nesërmen, kjo është domethënia e mbledhjes së opozitës së bashkuar në Shkodër.

Në më pak se tre muaj në këtë qytet kanë ndodhur 6 vrasje dhe janë rrëmbyer dy persona. Ndërkohë që nga media, raportohet se para një jave janë rrëmbyer edhe dy fëmijë, si pjesë e skemave mafioze, që janë rikthyer në familje, pasi mafia ka arritur qëllimin e gjobëvënies.

Kjo është situata në Shkodër. Këtu nuk duhet të ishim ulur vetëm ne, por edhe Rama dhe jo për të shitur mend dhe batuta por për të raportuar arrestimin e keqbërësve tash 6 muaj. Por Rama nuk mund të jetë këtu, ai është në Tiranë, me Cyrben, Ballën, Xhafën dhe shumë të tjerë të faktuar si të lidhur me krimin.

Kjo është arsyeja e dytë pse opozita mblidhet këtu. Rama bashkëpunoi me krimin në Shkodër, me familjen Baraj në Dobrac. Rama është një kryeministër në letër. Para disa ditësh krimi goditi shtëpinë ku flinin fëmijët e gazetares, sot u kërcënua një tjetër gazetar në Fushë Krujë, janë qëlluar biznesmenë dhe vrarë si Arjan Ferracaku, situata është totalisht jashtë kontrollit. Situatën e kontrollon krimi. Sot është shtetrrethim kriminal. Në Shkodër nuk lëvizet lirisht, si të jemi në gjendje lufte, shteti dhe policia janë në gjunjë para tyre.

Kam një thirrje për drejtorin e qarkut, jep dorëheqjen pasi në të kundër do të jesh njëlloj përgjegjës, nëse nuk ta mban të mobilizosh policinë kundër tyre, atëherë e vetmja që të shpëton është largimi yt dhe i cdo oficeri tjetër që nuk zbaton ligjin. Si mund ti kërkohet opozitës të bëj ligje me Xhafën, kur duhet të ishte në hetim. Si mund të bëjmë reforma me Cyrben, anëtarin e vetëshpallur të Shullazit dhe Lul Berishës, apo të negocioj me Ballën.

Vendi ynë nuk mund të jetë parlamenti, por pranë qytetarëve që janë të kërcënuar. Shprehim mbështetjen totale për Shkodrën dhe për të shprehur vendosmërinë për të gjitha masat sot dhe nesër me besimin e qytetarëve për të çmontuar organizatat mafioze që kanë marrë peng të gjithë Shqipërinë. Shqipërisë i janë mbyllur dyert në BE. Shqipëria dhe Shkodra nuk mund ta durojnë më këtë gjendje.

Lulzim Basha

Basha në vijim të fjalës së tij nga Shkodra u shpreh se opozita mblidhet edhe për të metat e veta, ndërsa shtoi se po përgatit aksionin kundër qeverisë. 

Ne mblidhmi këtu edhe për të metat tona, me të mirat dhe të këqijat tona për t’u zotuar se qytetarët nuk do i lëmë vetëm. Shqipëria nuk ka më kryeministër, janë banditët që drejtojnë. Duhet ti japim vendit një rreze drite, kjo fillon nga clirimi i qeverisë nga krimi me cfarëdo sakrifice, masash dhe veprimesh që do të kërkojë. Nuk kemi asnjë sinor për të ndarë me Ramën, trafiqe dhe korrupsion, kriminelët që veprojnë pa teklif janë përballë nesh dhe ne përballë tyre. Do i bëjmë të tundin pizhamet e tyre pas hekurave. Detyra jonë është që këtu, duke filluar nga sot e duke vijuar, të gjejmë rrugët dhe mënyrat të formulojmë aksionin dhe platformën politike për t’i dhënë fund kësaj gjendje të padurueshme. Në ditët në vijim ne si opozitë do të dimë të formulojmë edhe rrugët aksionin dhe aktet e veprimet që do ta ndalin humnerën e Shqipërisë për clirimin e qeverisjes nga krimi.

Lulzim Basha

Kryedemokratit iu përgjigj kryetari i grupit të PS, Taulant Balla nga foltorja e Kuvendit. Ai tha se kur Lulzim Basha ishte ministër në 2010 në Shkodër kishte 18 të vrarë, 10 më shumë se tani. 

Shifrat janë të tilla që rendi publik prej vitesh ka qenë problematik në Shkodër dhe përsa i përket vrasjeve, në 2010 kur ministër ishte Basha, ato arritën edhe në nivelin më të lartë, 18 vetëm në Shkodër gjatë 2010, krahasuar me një shifër 8 vrasje gjatë 8 mujorit të 2018. Edhe gjatë 2012 ka qenë 18 dhe mesatarja ka qenë në qeverisjen e PD dhe 9 në mandatin tonë të parë. Ne jemi shumë të shqetësuar për jetët e humbura nga krimi. Zoti ministër kemi besim te puna juaj dhe presim reagimin sa më të shpejtë, një përgjigje kuptimpoltë ndaj kujtdo. Mediat të mos ushqejnë popullin me helmin e çorbës së SHQUP-it.  Vëmendja jonë është tek njerëzit.

Taulant Balla

Vendimi i Partisë Demokratike për mbledhjen në Shkodër erdhi pas një serie ngjarjesh kriminale  të ndodhura në dy muajt e fundit. Në dy muaj, në Shkodër ka 6 të vrarë dhe 2 të zhdukur, ngjarje këto ende pa autorë dhe të pazbardhura. Demokratët akuzojnë qeverinë si të lidhur me bandat e Shkodrës. Opozita pretendon se është qeveria që i mbështet këto banda.