TIRANË- Pas deklaratës së kryeministrit Edi Rama të bërë një dite më parë në Report Tv, se është i gatshëm të shkojë deri në PD për zgjidhjen e krizës politike, lideri demokrat Lulzim Basha ka mbledhur në selinë blu aletatët.
Pas mbledhjes, Basha tha se i ka dërguar Ramës një plan për zgjidhjen e krizës politike dhe Reformën Zgjedhore, ndërsa paralajmëroi se nëse ai nuk e zbaton do duhet të hapë 'krahun'. Por tashmë për zgjidhjen e krizës Basha nuk përmendi kushtin për largimin e Ramës, por shtoi se kjo nuk është një çështje mes tyre, por për Shqipërinë.
Ndërsa kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi u shpreh se Rama fillimisht duhet të përmbushë pesë pikat që përmban platforma e opozitës së bashkuar për zgjidhjen e krizës politike dhe më pas të vijë në PD për të dialoguar.
Pesë pikat e dërguara nga opozita për zgjidhjen e krizës politike, kanë në thelb Reformën Zgjedhore. Përveç kushtit për largimin e Gjiknurit nga drejtimi i Komisionit për Reformën Zgjedhore tashmë opozita joparlamentare kërkon edhe largimin e Rudina Hajdarit si përfaqësuese e opozitës së re nga bashkëdrejtimi i këtij komisioni.
"Asnjë komision parlamentar, i drejtuar nga individë që duhet të ishin në burg për krime elektorale, nuk gëzon legjitimitetin për realizimin e Reformës Zgjedhore. Asnjë Komision që ka në përbërje dhe drejtim individë që nuk përfaqësojnë opozitën, nuk mund të përcaktojë rregullat për pjesëmarrje në zgjedhje të partive politike opozitare", thuhet në platformën e opozitës së re.
Gjithashtu opozita kërkon që ky proces të drejtohet nga përfaqësues të organizmave ndërkombëtarë, një përfaqësues i parlamentit dhe një përfaqësues i opozitës së bashkuar.