Basha si Biden mbledh militantët me makina te sheshi 'Nënë Tereza'

25 Mars 2021, 16:59 | Përditesimi i fundit: 2021-03-25 17:06:10

Sot nis zyrtarisht fushata elektorale për zgjedhjet e 25 prillit, një fushatë e pazakontë e diktuar nga masat antiCOVID për shkak të pandemisë. I pari që do të çel zyrtarisht fushatën është Partia Demokratike me aleatët e saj në koalicionin e formuar PD-Aleanca për Ndryshim. Fushata do të startojë me një aktivitet të organizuar në sheshin 'Nënë Tereza' që do të nisë në orën 17.00.

Mësohet se në këtë takim do lejohen të marrin pjesë edhe militantët të cilët për të ruajtur distancën do të qëndrojnë nëpër makina, por deri tani situata nuk duket sikur po zbatohen rregullat pasi shumë militantë janë mbledhur së bashku dhe qëndrojnë në shesh në pritje të nisjes së eventit.

Duket se kryedemokrati është frymëzuar për të këtë gjetje nga presidenti amerikan Joe Biden. Në fotot e realizuara nga ditën e sotme në Tiranë, shihen militantë të PD-së me flamuj, të cilat kanë dalë në xhamat e makinave dhe po ecin rrugëve të kryeqytetit.

Aktualisht është ngritur skenografia ku bie në sy një flamur i madh kuqezi me numrin 9 të PD në fletën e votimit. Ndërsa vetë Basha ka publikuar një video nga momenti kur banderola gjigante vendoset në hyrje të selisë së PD-së, ndërkohë që në sfond është kënga e Sia-as, "Unstoppable" pra Të pandalshëm, që mesa duket do të jetë dhe kolona zanore e fushatës së PD.