Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha i është bashkuar 'nismës' së Ilir Metës, duke hedhur sulme ndaj kreu të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Ardian Dvorani.
Basha teksa ishte në një takim me qytetarët e Devollit gjatë turit “Rrugëtimi për Shqipërinë”, akuzoi Dvoranin duke thënë se është simbol i korrupsionit dhe i kapjes së shtetit. Basha ka vijuar me tej duke thënë se Dvorani është vegël e kryeministrit Rama.
Shikoni tenderat që janë pa konkurrencë, sepse janë paracaktuar ata që do t’i fitojnë me çmimin maksimal dhe mbasi i marrin me çmimin maksimal e rrisin edhe më shumë vlerën e kontratës. Kush paguan? Ju paguani. Shqiptarët paguajnë. Njësoj siç paracakton tenderat, paracakton edhe gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese, pa garë, ata që do Ardian Dvorani, simboli i korrupsionit dhe i kapjes së shtetit, vegla dhe masha e Edi Ramës që nuk do të lërë institucion pa kapur sepse ai e ka jetike t’i kapë institucionet. Në qoftëse institucionet funksionojnë i pari që duhet të shkojë për ndjekje penale, për dhjetëra vepra penale është Edi Rama dhe gjysma e kabinetit dhe ish-kabinetit të tij qeveritar. Prandaj ai e ka jetike të kapë drejtësinë, të bllokojë reformën në drejtësi, prandaj ai cakton si kukulla prokurorë, gjyqtarë, Gjykatë Kushtetuese. Paligjshmëria dhe padrejtësia prodhojnë vetëm varfëri dhe mjerim. Zgjidhja e vetme janë zgjedhjet dhe kthimi i legjitimitetit të parlamentit." tha Basha.
Ditët e fundit, Presidenti Ilir Meta është përplasur me mazhorancën për sa i përket plotësimit me anëtarë të Gjykatës Kushtetuese. Pas emërimit pasditen e së mërkurës që lamë pas të Marsida Xhaferllarit, nga Presidenti Ilir Meta si anëtare e Gjykatës Kushtetuese, ky institucion u fut në kaos për shkak se më parë ishte emëruar anëtarja Arta Vorpsi, automatikisht si e para në listë pas përfundimit të afatit 30 ditorë që presidenti Meta kishte në dispozicion për të zgjedhur.
Ndërkohë Presidenti Ilir Meta ka paralajmëruar padi penale ndaj kreut të KED, pasi sipas tij, ka shkelur Kushtetutën. Ndërsa pas kësaj deklarate, Basha ka vijuar duke iu prezantuar fermerëve të Devollit platformën e PD për zhvillimin në Bujqësi. Basha ka garantuar të pranishmit se PD ka një plan për nxjerrjen e vendit nga kriza, që kalon mes zgjedhjeve të lira.
"Subvencioni funksionon në këtë mënyrë; nga kosto e prodhimit, qoftë patatja, qoftë qepa, molla, domatet, bostan, mish, bulmet, juve t’ju mbetet vetëm kosto e krahut të punës. Pra, shuma e parave që destinohet për prodhimin që ju sillni në treg nga shteti, shteti iu paguan aq para sa të çojë në zerimin e kësaj kosto. Ky pra është qëllimi i mbështetjes tonë direkte për fermerët. Këtë bën sot Kosova. Kosova ka një listë dhe thotë: nëse dorëzon kaq tonë speca, do të marrësh kaq mijë euro. Nëse dorëzon kaq tonë spinaq apo mollë, do të marrësh kaq mijë euro. Gjithçka është e parashpallur, transparente. Me planin tonë fermeri duhet të bëjë dy gjëra; E para e punës të certifikohet sasia e prodhimit që ka, Dhe e dyta të certifikohet që ka cilësinë minimale pë rtë hyrë në treg, Me certifikimin e tyre menjëherë fermeri përfiton për çdo kuintal prodhim dhe në funksion të kësaj do të buxhetohet çdo vit nga buxheti ynë që në vitin e parë 100 milionë euro nga buxheti i shtetit. 100 milionë euro vetëm për mbështetje direkte për fermerin. Nuk do të mbështetën prodhime kuturu, por ato që sjellin një vlerë të shtuar. Gjithçka do të bëhet digjitale pa pasur nevojë të shkoni tek zyra, do të eliminohet e gjitha kjo. Avantazhi i digjitalizimit me një kartë, me një cip mund të shmangim hallkat që bëjnë korrupsioni dhe gjithçka të vërtetohet siç është. Dy gjëra: E para, një tabelë e shpallur, transparente vit për vit e subvencionit që do të jetë për prodhim për të gjithë fermerët, pa dysheme, pa tavan. Mbështetje e drejtpërdrejtë për të gjithë fermerët duke shmangur mundësitë për abuzime dhe korrupsion."