Basha 'surprizohet' nga simpatizantët e PD në Elbasan, s'i reziston tundimit ta hedhë 'live' në fb

8 Maj 2019, 22:39 | Përditesimi i fundit: 2019-05-08 22:45:58

Pas kthimit nga qyteti i Korçës, qytetarët i kanë bërë një "pritje suprizë" kryedemokratit Basha. Në qytetin e Elbasanit, simpatizantë të PD i kanë "bllokuar" rrugën Bashës teksa thërrisnin “Rama Ik”, “E duam Shqipërinë si Europa”, “Liri Demokraci”.

Ashtu sikuse përjetohen në ditët e sotme 'surprizat', as lideri demokrat nuk i ka shpëtuar tundimit për ta hedhur në video live në rrjetin social në Facebook.

"Të dashur miq, kjo që po ndodh aktualisht është një surprizë për mua. Jam rrugës në kthim për Tiranë, pas një pasdite në Qarkun e Korçës, në Korçë, në Devoll dhe pastaj në Pogradec, dhe kur po hyja në qytetin e Elbasanit, ku nuk kam takim, do kaloja përmes qytetit të Elbasanit për në Tiranë, e shikoni vetë se çfarë po ndodh (brohoritje të manifestuesve Mirë se na erdhe, fitore-fitore). Siç ju thashë, krejtësisht e papritur (brohoritje E duam Shqipërinë si e gjithë Evropa). E jashtëzakonshme! Është ora 21.20 dhe krejtësisht pa njoftim, kjo është atmosfera në Elbasan. Ajo që më bën përshtypje, është që edhe njerëzit që janë në trafik në anën tjetër, përshëndesin me gishtat lart. Ka një frymë ngjitëse optimizmi, besimi dhe shprese", shprehet Basha.

Ai ka ripërsëritur edhe një herë deklaratat e tij, se nuk do të ketë zgjedhje më 30 qershor me Edi Ramën kryeministër.