Basha takim me qytetarët e Krujës: 1/3 e krutanëve është larguar për faj të Ramës, bashkojuni protestës së 16 shkurtit

5 Shkurt 2019, 16:49 | Përditesimi i fundit: 2019-02-05 18:39:06

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka deklaruar këtë të martë në një takim me qytetarët e Krujës se 1/3 e krutanëve është larguar për faj të keqqeverisjes së kryeministrit Edi Rama. Sipas tij, Kruja nuk është një qytet ku është investuar për zhvillimin e sezoneve turistike.

Basha u shpreh më tej se Kruja hyn tek qytetet me numrin më të madh të familjeve në nevojë, pikërisht për shkak të vjedhjes që u ka bërë Rama përmes taksave.

Edi Rama ka vjedhur 2 milard euro taksa të shqiptarëve duke lënë 45% të familjeve me të ardhura nën 5 mijë lek të vjetra. Edi Rama ju ka marrë ju 2 miliard euro më shumë. Ky që do të ulte taksat për 97% të shqiptarëve. Ai i ka marrë këto taksa duke rritur çmimin e energjisë, çmimin e naftës, taksat, a i ktheu ato? Në investime dhe shërbime? Ai ka bërë masakër me të pamundurit. Kruja hyn në numrin më të madh të familjeve në nevojë. Ka hequr qindra familje, 23 mijë me statistika në të gjithë Shqipërinë, por në fakt është dyfish.  Ata jetojnë sipas BE-së, 45% e familjeve shqiptare jetojnë me më pak se 5 mijë lekë të vjetra në ditë. Ku jemi këtu në xhungël? 2 miliard taksa të parave tuaja ju e dini përse nuk kanë ardhur për spitale e shkolla, sepse këto para i ka vjedhur Edi Rama me bandën e tij të hajdutëve në qeveri dhe me oligarkët. 
 

Lulzim Basha, Kryetar i Partisë Demokratike

Basha shpalosi si alternativë zgjidhjeje për qytetarët e Krujës planin e Partisë Demokratike, që konsiston në uljen e cmimit të naftës dhe benzinës, rritjen e pensioneve e rrogave dhe financimin e energjisë.

Për ne, për mua si Lulzim Basha prioritet është punësimi  dhe mirëqenia për shqiptarët. Ne i kemi zgjidhjet për ju dhe jemi gati që t'i vëmë në funksion me votën tuaj.Ne kemi vizionin, planin dhe kemi vendosmërinë që të fillojmë t’ju shërbejmë prej ditës së parë kur të na besoni me votë qeverisjen e vendit. Prej ditës sonë të parë nafta dhe benzina do të jetë 300 lek më pak për litër, për çdo shqiptar. Do ta heqim taksën “Rama” mbi karburantin. Ato miliarda që sot i marrin 5 oligarkë dhe i ndajnë me Edi Ramën, do t’i çojmë për rritjen e pensioneve, rrogave, financim energji, në mënyrë që shqiptarët të mos e paguajnë më shtrenjtë se çdokush tjetër në Ballkan, dhe që familjet në ndihmë ekonomike të marrin 200 KË e parë falas.

Lulzim Basha, Kryetar i Partisë Demokratike
 

Në përfundim të fjalës së tij, ai i bëri thirrje qytetarëve të Krujës që të marrin në dorë fatin e tyre, të ngrihen në këmbë dhe të marshojnë të gjithë drejt Tiranës për t'iu bashkuar protestës opozitare të 16 shkurtit. 

    No videos found.