Basha tërhiqet nga pengimi i zgjedhjeve pas thirrjes së SHBA-së: S'do preket asnjë fije floku! Na mbetet vetëm bojkoti

28 Qershor 2019, 23:34

Pas katër muajve fushatë për të bllokuar zgjedhjet e 30 qershorit, lideri demokrat Lulzim Basha tërhiqet formalisht nga rruga radikale, dhe bën thirrje për të mos dhunuar procesin zgjedhor, vetëm pak orë pas qëndrimit të prerë të zyrtarit të lartë amerikan Palmer, se SHBA do të shkëpusë marrëdhëniet me ata që do të tentojë që të pengojë zgjedhjet në Shqipëri ditën e diel. Basha tha se dhuna është oksigjen për Edi Ramën, dhe kështu, para orë para fillimit të heshtjes zgjedhore, kryedemokrati ka bërë apelin e fundit, duke i kërkuar qytetarëve të mos votojnë me 30 qershor.

TIRANE - Në 30 qershor do të mbahen zgjedhjet vendore, dhe ky fakt tashmë duket se është pranuar edhe nga vetë kryedemokrati Lulzim Basha. Në një konferencë për mediat në mbrëmje, teksa kishte kaluar ora 22:00, lideri i opozitës joparlamantare dha përshtypjen e deklaratës së fundit në respekt të heshtjes zgjedhore që është ditën e shtunë, një ditë para së dielës së votimeve. Kryetari i Partisë Demokratike, i bëri thirrje të hapur qytetarëve që të mos kryejnë akte dhune, të refuzojnë çdo formë provokimi që sipas tij mund të vijë nga qeveria.

30 qershorin e quajti vdekjen politike të Edi Ramës, por e vetmja thirrje e tij ndaj qytetarëve, ishte ajo e bojkotit: Mos dilni në votime dha shefi i opozitës, teksa theksoi disa herë, se dhuna me dhunë "i jepet oksigjen Ramës". "Të mos bien pre, refuzojeni, braktiseni', tha Basha - duke kërkuar si të vetmen armë kundërshtie ndaj këtij procesi zgjedhor: Mospjesëmarrjen.

"Pasnesër është 30 qershori, kur Edi Rama do të kryejë aktin e fundit politik të regjimit të tij para rrëzimit. Një gjë sot është e qartë: 30 qershori është rrëzuar pa ardhur ende. Votimet farsë janë bërë pa ardhur ende. Por 30 qershori, nga një garë politike ku do të kërkonte fitore, është kthyer tashmë në varrezën politike të Edi Ramës. Ka vetëm një mënyrë që ne mund t’i japim oksigjen kësaj kufome politike: Kjo është dhuna. Edi Rama po kërkon viktima, që t’i përdorë ato për të justifikuar apo mbajtur pushtetin. por ne nuk duhet të lejojmë që asnjë fije floku i asnjë shqiptari të preket pPër të zgjatur jetën e kësaj kufome politike. Ndaj ju ftoj të gjithëve që të mos biem pre e provokimeve të Edi Ramës: Refuzojeni Edi Ramën! Braktiseni Edi Ramën! Mos iu përkulni presionit të tij për të dalë në votimet farsë! Denonconi çdo gjë që regjimi i tij bën, presionin, dhunën, fallsfikimin, mashtrimin! Mbi të gjitha, le të jemi bashkë më 30 qershor, duke ngritur zërin si qytetarë të denjë europianë", tha Basha.

Kjo kthesë e Lulzim Bashës nga thirrjet publike për të penguar me çdo formë procesin zgjedhor të 30 qershorin të cilin më herët e ka quajtur farsë politike, vjen pas thirrjes së fortë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që udheheqësit e opozitës t'i bëjnë thirrje publikisht përkrahësve të tyre që të distancohen nga dhuna dhe që 30 qershori, datë të cilën ndërkombëtarët  njëzëri e kanë njohur, të jetë një proces i qetë dhe i paqtë. Palmer u shpreh qartë dhe prerë se SHBA do të shkëpusë marrëdhëniet me ata që do të tentojë që të pengojë zgjedhjet në Shqipëri ditën e diel, pra në 30 Qershor. "Pengimi i zgjedhjeve mund të përbëjë bazë për t’u përjashtuar nga marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara", theksoi ai.

Deklarata të ngjashme Basha i ka bërë edhe dy ditë më parë, por ndërkohë sërish pati dhunë kur u sulmua me bomba molotov KZAZ-ja numër 6 në Bushat të Bashkisë së Vaut të Dejës, dhe po ashtu sot, vetëm pak para se ai të dilte në konferencën për mediat në 10 të darkës, në Dibër militantët sulmuan policinë e rendit duke tentuar të futen brenda KZAZ-së numër 19 në Dibër. Tani shpresa mbetet që mesazhi  i liderit të opozitës joparlamentare të mbërrijë edhe tek militantët dhe të tërhiqen nga dhuna.

    No videos found.