Kreu i PD, Lulzim Basha, vijoi në Durrës shpalosjen e Programit Shqipëria Fiton për Turizmin. Gjatë bisedës me sipërmarrës të agjencive turistike, Basha teksa tha se turizmi është në krizë nga politikat e gabuara të nërmarra gjatë pandemisë, tregoi me detaje atë çka ai do të sjellë pas 25 prillit nëse fiton, në mënyrë që sipas tij të kthejë standardet e duhura turizmin shqiptar.
Sipas tij sipërmarrja në tërësi ka marrë paketën më minimale të ndihmës ekonomike ndër vendet e rajonit. Ndaj edhe prioriteti kryesor i programit të tij, Basha thotë se është ekonomia, është punësimi dhe këtu hyn edhe turizmi si një nga degët me potencialin më të madh për të ndihmuar në arritjen e këtij objektivi, hapjen e 110 mijë vendeve të punës, thithjen e investimeve, krijimin e një klime të përshtatshme të biznesit.
Një tjetër premtim që Basha u ka dhënë sipërmarrësve, është se me ardhjen në pushtet, qeveria e tij do të bëjë unifikimin e taksës së tatimit mbi vlerën e shtuar, të TVSH-së 6% për të gjithë operatorët turistikë. Sipas tij inspektoriatet do të kenë një moratorium 12 mujor deri në një reformim sipas modelit Europian.
“Disa prej pikave të programit janë reforma që prekin të gjithë ekonominë, siç është taksa e sheshtë 9%, siç është ulja e çmimit të karburantit, siç është reduktimi masiv i burokracisë, i lejeve, i autorizimeve, i kërkesave që kërkon për çdo sektor që aksesohet nga shteti, duke përfshirë dhe sektorin e turizmit. Siç është çështja e çmimit të karburantit por dhe angazhime të tjera që kanë të bëjnë me të gjithë ekonominë. Një pjesë është e fokusuar te turizmi. Është e fokusuar te turizmi për të theksuar natyrën e turizmit si prioritet kombëtar brenda planit tonë të zhvillimit ekonomik. Dhe këtu objektivat tona janë të qarta. Një rritje prej 15% çdo vit dhe një rritje prej të paktën 2% nga 8 në 10 e sektorit të turizmit në vetvete ku natyrisht nuk përfshihet sektori i agjencive të udhëtimeve ku bashkë me të volumin në ekonomi është më shumë se dyfish”, - iu tha Basha përfaqësuesve të sektorit të agjencive turistike.