Basha ultimatum Ramës nga protesta e 'Unazës së Re': Largohu nga qeveria përpara datës 15 shkurt

6 Shkurt 2019, 18:54

Pas takimit me mbështetësit e Vorës, kreu i PD Lulzim Basha është ndalur në protestën e banorëve të "Unazës së Re", nga ku ka bërë thirrje për pjesëmarrjen e tyre në protestën e 16 shkurtit. Ai i bëri thirrje Edi Ramës të largohet nga karrigia e qeverisjes deri në datë 15 shkurt. Sipas Bashës, Ramës ia kanë falur të inkriminuarit karrigen e kryeministrit dhe për këtë arsye ai duhet të largohet dhe t'i hapë rrugë krijimit të një qeverie kalimtare me qëllim çuarjen e vendit në zgjedhje të parakohshme.  

"Në 16 shkurt vendi juaj do te jetë atje në shesh në ballë të protestës. Në 16 shkurt nuk është më koha për fjalë sepse fjalët janë thënë. Edi Rama ka kohë deri në 15 shkurt që ti japë zgjidhje politike krizës duke u larguar. Në 16 shkurt dëgjohet vetëm zëri dhe vullneti juaj. Deri më 15 shkurt të largohet nga karrigia që i kanë falur kriminelët dhe t'i hapë rrugë zgjidhjes politike, qeverisë tranzitore dhe zgjedhje të parakohshme. Në 16 shkurt mbarojnë fjalët e politikës dhe është koha e zërit të qytetarëve. Një ditë e re do të vijë me qëndresën tuaj. Këta të rinj do kenë të ardhmen që meritojnë. Të gjithë bashkë më 16 shkurt para Kryeministrisë", u shpreh Basha.

Duke komentuar protestën prej tre muajsh të banorëve të "Astirit", Basha tha se pa këmbënguljen e tyre do ishte e pamundur të zbulohej sipas tij megaafera me tenderin e "Unazës së Madhe". "Kjo qëndresë e juaja iu tregoi shqiptarëve rrugën për t’u përballur me padrejtësinë. Nëse ju do kishit ulur  kokën, shtëpitë tuaja do ishin prishur dhe skandali i Unazës nuk do ishte zbuluar. Ky nuk është kryeministri i shqiptarëve, por është kryeministri i kriminelëve dhe hajdutëve. Shërbëtor dhe ortak i tyre", theksoi kreu demokrat. 

Basha iu bashkua sot protestës së banorëve të "Unazës së Re" pas rreth një muaji mungesë. 

    No videos found.