Basha: Zgjedhjet në Kosovë shembull për ne! Rama në 8 vite s'bëri asgjë, SPAK të shtoj ritmin

15 Shkurt 2021, 17:15

Kryetari i PD-së Lulzim Basha në një prononcim për mediat ka uruar kreun e Lëvizjes Vetëvendosje për fitoren si dhe ka vlerësuar procesin zgjedhor në Kosovë duke thënë se ata u bënë shembull për Shqipërinë dhe Ballkanin. 

"Një  proces zgjedhor modern me standarde europiane dhe shembull për Shqipërinë dhe Ballkanin. Kosovën  e presin sfida përpara dhe u uroj fituesve në zgjedhje, por edhe partive të tjera që të bëjnë  gjithçka në përmbushjen me  sukses të sfidave që i presin. Kosova të vazhdojë rrugëtimin e saj të pandalshëm, i garantoj që sot dhe nesër pas zgjedhjeve të  25 prillit unë dhe PD do të jemi në krahun e tyre", tha Basha.

I pyetur nga gazetarja e Report Tv Danjela Maloku se kush janë arsyet që nuk duhet votuar Edi Rama, Basha tha se ai ka me mijëra premtime që u ka bërë shqiptarëve për të ardhur në pushtet dhe nuk i ka mbajtur. Basha tha se Rama në 8 vite bëri vetëm propagandë, ndërsa sot bënë premtime të tjera, ku sipas Bashës nuk ka të drejtë morale të kërkojë një mandat të tretë.

"Dje unë ju listova vetëm 9 premtime të Ramës me të cilën kërkoi votën por nuk janë mbajtur, por nuk janë 9 janë me dhjetëra premtime që ai nuk i ka mbajtur. Bindja ime që është bindja e çdo qytetari që një kryeministër që nuk mban premtimet me të cilat vjen në pushtet nuk ka të drejtë morale të kërkojë një mandat tjetër, jo që nuk ka kërkuar falje por tani vjen me të tjera premtime boshe, vetëm propagandë, vetëm dështime, rezultati Shqipëria ka ngecur në vendnumëro. Shumica dërrmuese janë më të varfër se më parë , papunësia është rritur dhe në veçanti papunësia  mes të rinjve që është kthyer në një plagë për emigrimin masiv të tyre. Vendet  e tjera rreth Shqipërisë kanë bërë përpara, ne rrimë në vendnumëro  dhe fajtori është Rama. Tani e vetmja gjë që bën është të na sjellë premtime të reja", tha Basha.