Basha-Rama replika në distancë për funksionimin e Gjykatës Kushtetuese, ShBA: Partitë dështuan

24 Korrik 2018, 18:52

Pasi nuk u përballën tre javët e fundit në debatin parlamentar, Edi Rama dhe Lulzim Basha janë përballur në rrjetet sociale për vettingun dhe magjistratët. Edi Rama thotë se Gjykata Kushtetuese dhe ajo e Lartë do të ringrihen brenda një viti. 
Edi Rama, kryeministër Po mbetemi pa gjykata të sipërme?Jo! Po operojmë organizma të kancerizuar që e degraduan deri në kockë drejtësinë. Më mirë djepi bosh se shejtani brenda! Ky pastrim është shpëtim për dekada e breza që vijnë,rilindja e këtyre gjykatave është vetëm çështje e më pak se një viti.
Pak minuta më pas Lulzim Basha, tha se boshatisja e Gjykatës Kushtetuese i shërben Ramës për të fshehur sipas tij aferën me Teatrin Kombëtar.
Lulzim Basha, Kryetar i PD Djepi bosh i Gjykatës Kushtetuese i duhet kryeshejtanit për të mbrojtur mega aferën 200 milionë Euro me grabitjen e Teatrit Kombëtar. Ndërsa shejtanët në djepin e Prokurorisë ju duhen për të mbrojtur lidhjet me krimin dhe aferat korruptive, nga Tahiri te Xhafaj, nga Dako te Veliaj, nga Gjiknuri te Ahmetaj, nga Sejdini te Roshi me shokë.
Për këtë çështje ka reaguar dhe ambasada amerikane. Përmes numrit dy të ambasadës, David Muniz, mosvotimi i ligjit për magjistratët të hënën, ishte “një dështim i të gjitha partive në parlament”. 
Në përgjigje të interesimit të Zërit të Amerikës, Muniz u shpreh:
 Politikanët shqiptarë kishin mundësinë ta ndërmerrnin këtë hap të thjeshtë përpara dhe të hapnin dyert për një klasë të re studentësh, por nuk e bënë këtë. Vetingu po ecën më shpejt, dhe Shqipëria ka nevojë për gjyqtarë dhe prokurorë të rinj që do të mbrojnë sundimin e ligjit. Me sa duket, politikanët kanë frikë nga sundimi i ligjit dhe prandaj nuk punuan sëbashku për të mbështetur Shkollën e Magjistraturës dhe reformën në drejtësi”.
Votimi i ligjit në fjalë, kërkon 84 vota. Për mungesë dakordësie politike, u shty për në shtator. 
Ambasada Amerikane e quan një dështim të klasës politike mos votimin e ligjit për magjistratët, ndërsa Edi Rama thotë se Gjykatat kryesore në vend do të plotësohen brenda një viti. Në përgjigje, kreu demokrat shprehet se Edi Ramës i intereson boshatisja e Gjykatës Kushtetuese për aferat e tij. 
 

    No videos found.