Deklaratën e djeshme të Kryeministrit Rama se bashkë me Bashën kishin një plan për ta çuar LSI-në për skrap në selinë e partisë që drejton Monika Kryemadhi, duket se nuk e kanë lënë vetëm me reagimin e kryetares.
Zëvendëskryetari i LSI-së, Luan Rama i ka bërë thirrje Kryeministrit që të mos merret me Lëvizjen Socialiste për Integrim, por me punët dhe hallet e shqiptarëve.
"Sikurse e keni vënë re, motra dhe vëllezër, prej ditësh Kryeministri vetë, por me porosi dhe me urdhër të tij, edhe çeta e eunukëve të tij të pushtetit, nuk po e ndajnë nga goja refrenin e dëshirës së tyre paranojake për të zhbërë LSI-në dhe siç thotë Kryeministri i kompleksuar dhe i frikësuar: ‘për ta çuar atë për skrap!’ Natyrisht gjuha e urrejtjes, mllefi dhe armiqësia ndaj një pjese të shqiptarëve, siç është armata e gjerëve e anëtarëve, mbështetësve, votuesve dhe simpatizantëve të LSI-së, nuk është një gjë e re në karakterin e Kryeministrit dhe as në natyrën e tij", tha ai.
Luan Rama tha se duke u marrë me Lëvizjen Socialiste për Integrim, me anëtarët, me simpatizantët, me votuesit e saj të shumtë, Edi Rama nuk mund ta fshehë dështimin e tij në qeverisje.
"Edi Ramës nuk ia ka fajin LSI-a, Edi Ramës ia ka fajin babëzia. Edi Ramës nuk ia ka fajin LSI-a, por Edi Ramës ia ka fajin ligësia, ligësia e shprehur edhe përmes gjuhës së tij të urrejtjes dhe të armiqësisë, për të përveçuar një pjesë të shqiptarëve e për të ndërsyer ndaj tyre pjesën tjetër. Kjo është filozofia politike, ky është karakteri i Edi Ramës, duke qenë se tha që më 25 prill shqiptarët do të zgjedhin karakterin. Po, Edi Rama nuk ka probleme me LSI-në, Edi Rama ka probleme me demokracinë. Edi Rama ka probleme me integrimin evropian të Shqipërisë, të cilin e ka zënë peng, e ka bllokuar dhe sabotuar. Edi Rama nuk ka probleme me LSI-në, Edi Rama ka probleme me Shqipërinë, ndaj Shqipëria mezi pret 25 prillin për të larë njëherë e mirë problemet dhe hesapet me Edi Ramën", tha ndër të tjera Luan Rama.
