Zyrtarët e 9 ministrive janë identifikuar si përgjegjës për mospërgjigje në kohë ndaj problemeve të adresuara nga qytetarët në platformën e bashkëqeverisjes, platformë e cila ka marrë një rëndësi parësore, duke u kthyer në kolonën kryesore të qeverisë ‘Rama 2’. Ministritë, 420 zyrtarët e të cilave nuk kanë adresuar në kohë problemet e qytetarëve të zakonshëm, janë identifikuar në raportin e fundit të bilancit të bashkëqeverisjes me qytetarët. Raporti analizon punën e të gjitha degëve të qeverisë, në raport me bashkëqeverisjen, nga tetori 2017 deri në korrik 2018.
Në raport thuhet se zyrtarë të Ministrisë së Drejtësisë, Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministrisë së Financës dhe Ekonomisë, Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Ministrisë së Brendshme, Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural si dhe Ministrisë së Mbrojtjes, nuk u janë përgjigjur në kohë qytetarëve. Identifikimi i tyre është mundësuar nga hetimi i administrativ i organeve të posaçme. Hetimi administrativ ka identifikuar edhe arsye e vonesës, që nga presionet, interesat etj.
Për kryeministrin Edi Rama, platforma e bashkëqeverisje, si një instrument për të zgjidhur hallet e çdo qytetari, është kryefjala mënyrës së qeverisjes, gjatë mandatit të dytë. Në këtë kuadër, kryeministri ka paralajmëruar largim të menjëhershëm nga puna, për të gjithë ata, të cilët nuk adresojnë në kohë problemet e qytetarëve.
“Pas kësaj fillon një hetim administrativ për të kuptuar nëse vonesa është e lidhur me korrupsionin, nëse zvarritja është rezultat i presionit për t’ju çuar drejt rrugëve të ryshfetit dhe kur këto verifikohen, merren menjëherë masa. Kështu, pak nga pak, hap pas hapi pastrohet dhe çlirohet administrata e shtetit, ndërkohë që rritet vetëdija e atyre që punojnë në zyrat e shërbimeve, pasi hap pas hapi kuptojnë se çdo qytetar, pavarësisht nga statusi, pavarësisht nga mosha, është potencialisht dikush që mund t’i largojë nga puna, nëse ata nuk bëjnë punën”, ka deklaruar Rama.