Bashkëshorti në front të parë kundër COVID-19, mjekja: Në asnjë moment s'i kemi thënë mos shko në punë

26 Mars 2020, 12:31

TIRANË - Një familje mjekësh: Ajo dermatologe, ai mjek i njohur infeksionist, në frontin e parë të luftës kundër koronavirusit. Asnjëherë, as ajo, as fëmijët, dhe as prindërit e tij, nuk i kanë thënë të lë detyrën në këto ditë të vështira për kombin shqiptar, edhe pse më herët ka rrezikuar kur është infektuar ng anjë pacient me virusin AH1N1 (gripin e derrit). E tillë është historia e profesorit të njohur Arjan Haxhi dhe bashkëshortes së tij, mjeke dermatologe Erjona Shehu.

Në një komunikim me Skype me Report Tv, doktoreshë Erjona na tregon si po i kalon këto ditë në shtëpi, dhe merakun e saj si bashkëshorte, për Arjanin, i cili prej ditësh është në ballë të parë për të qëndruar pranë të prekurve me koronavirus në Shqipëri.

"Të gjithë profesionistët të të gjitha fushave që sot janë në punë janë të rrezikuar, mjekët i kanë më të mëdha mundësi për riskun. Nuk është hera e parë që bashkëshorti im apo kolegët e mi përballen me këto situata. Kur ishte epidemia e gripit të derrit bashkëshorti im u sëmur e mori virusin nga pacienti u vetëiozolua në shtëpi se në spital nuk kishte vende.  Kanë pasur të gjithë incidentet me pacientët. Ajo që duhet të kemi parasysh është të mos i konsiderojmë mjekët heronj vetëm në këto ditë, por përmes këtyre ditëve të kuptojmë peshën e madhe që ata mbajnë. COVID-19 është shumë i zhurmshëm, por mjekët përballen përditë me të tilla situata. Në asnjë moment as vajzat e mia, as unë, as prindërit e bashkëshortit im nuk i kanë thënë kurrë mos shko në punë, as e kemi menduar ta themi, ata punojnë dhe e bëjnë me shumë dëshirë dhe përkushtim këtë gjë", tregon mjekja Erjona Shehu.

Shehu ndan edhe një apel për të gjitha ata pacientë që kanë fshehur nga mjeku historikun e udhëtimeve që kanë pasur në zona të kuqe me COVID-19, duke i infektuar ata. Sëmundja nuk pyet se kë zgjedh, thotë ajo, dhe i vetmi aleat ne këtë luftë me të cilin duhet të tregohemi të sinqertë, ësht ëmjeku.