Bashkia e Tiranës dëgjesë për buxhetin 2020, Mazniku: Do të ndërhyjmë në 100 lagje

2 Nëntor 2019, 17:47

TIRANE- Përmirësimi i infrastrukturës, projekti i “100 Lagjeve”, fuqizimi ekonomik dhe vendet e reja të punës do të jenë fokusi i Bashkisë së Tiranës. Nga shkolla “1 Maji” në kryeqytet, në dëgjesën me banorët e Njësive 1, 2 dhe 3, nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Arbjan Mazniku shpjegoi 4 kolonat kryesore mbi të cilat është planifikuar projektbuxheti për vitin e ardhshëm dhe investimet që pritet të sjellin impakt pozitiv në cilësinë e jetës së banorëve të qytetit.

“Fokusi i punës, jo vetëm për këtë vit, por që do të zgjasë përtej këtij viti, do të jetë i ndarë në 4 kolona kryesore. Do të vijojmë të investojmë në çerdhe, kopshte, shkolla. Kemi një punë shumë të madhe për të bërë. Fillojmë brenda këtij viti kampusin e qytetit studenti, i cili do të ketë tre elementë të rëndësishëm zhvillimor”, tha Mazniku. Fokusi i dytë i rëndësishëm i punës së Bashkisë së Tiranës do të jetë ekonomia dhe punësimi. “Në 4-vjeçarin e parë u fokusuam shumë në infrastrukturën bazike të qytetit, në pastrim, rrugë dhe kanale. Tani do të kemi fokus më të madh te ekonomia dhe punësimi, siç është zona e re ekonomike e Tiranës, e cila do të fokusohet në prodhim e manifakturë, për të krijuar vende të reja të punës. Po ashtu, edhe tregun agroushqimor, në mënyrë që edhe zonat rreth e qark të Tiranës të ketë një treg për të sjellë produktet e tyre”, tha ai.

    No videos found.